Lojtarët e përfaqësueses tonë po bëjnë llogaritë e tyre në këtë fazë kalimtare transferimesh, duke besuar se mund të gjejnë destinacione më të mira për karrierën e tyre dhe shenjat u dhanë në fillim me Marash Kumbullën e Amir Rrahmanin të Veronës, që janë shumë pranë transferimeve zyrtare drejt skuadrave më cilësore, sidomos Rrahmani që është pranë prezantimit tek Napoli. Ndërkohë, një lajm disi surprizues vjen nga Napoli, ku mbrojtësi kuqezi, Elseid Hysaj është përpara një dileme, të rrijë apo të largohet, por me klubin italian që duket se ka pranuar konditat financiare të shqiptarit dhe do ta mbajë atë deri në fund të vitit 2023.
Në të vërtetë Hysaj ka pasur kontratë afatgjatë me Napolin, por lënia në stol në kohën e Ançelotit kishte sjellë një situatë të paqartë për mbrojtësin kuqezi, aq sa ai dhe menaxheri Mario Xhiufredi kërkuan largimin. Disa opsione u shfaqën dhe kjo merkato shihej si vendimtare, por Napoli bëri lëvizjen e madhe, duke propozuar sipas medieve italiane një rritje gati dyfishe të pagës. Në fakt, shifrat e pagesës për Hysajn asnjëherë nuk kanë qenë numra të përputhshëm, pasi ka diapazon të madh mes minimumit dhe maksimumit të pretenduar. Sidoqoftë, mediat italiane hedhin dritë mbi raportin e ri të krijuar dhe propozimin e Napolit që shqiptari të vijë të qëndrojë në radhët e napolitanëve.
Hysaj dyfishim page? Tek Napoli gjithçka është e mundur
Referuar medieve sportive italiane, Mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë, Elseid Hysaj, dhe Napoli po provojnë të ulen përsëri në tavolinë e bisedimeve për rinovimin e marrëveshjes, por për të gjetur një akord nuk do të jetë e thjeshtë. Mediat italiane bëjnë të ditur se klubi ka si objektiv që të rinovojë marrëveshjen me mbrojtësin deri në vitin 2023, por futbollisti nga ana e tij, kërkon një përmirësim të ndjeshëm të kushteve financiare për të firmosur përsëri. Eksperti i merkatos në Itali, Nikolo Shira, ka mësuar se kërkesa e futbollisti është thuajse dyfishi i rrogës që përfiton aktualisht, prej 1,4 milionë eurosh në sezon.
“Napoli po punon për rinovimin e Elseid Hysajt deri në vitin 2023. Nga mbrojtësi është kërkuar rritja e rrogës në 2,7 milionë euro neto në sezon, palët janë në bisedime edhe për të eliminuar klauzolën prej 50 milionë eurosh që vlen vetëm për jashtë Italisë”, ka sqaruar ai diskutimet më të fundit mes palëve. Trajneri Gatuzo duket se ka vendosur që të mbajë Hysajn në rreshtim pasi mund ta përdorë si në të djathtën, ashtu edhe në të majtën e prapavijës dhe ka udhëzuar klubin që të mos e lërë të largohet. Por nga ana tjetër është kjo çështja e rrogës për të cilën presidenti De Laurentis nuk do të ishte aq i lumtur ta përmirësonte, të paktën me ato shifra që kërkon futbollisti shqiptar.
Bare në “radarët” e Valekanos, por nuk i mungon as formacionit ideal
Keidi Bare dhe Armando Sadiku po vlerësohen si dy nga lojtarët më të talentuar të këtij kampionati. Ky vlerësim vjen edhe nga fakti se të dy lojtarët shqiptarë të Malagës po përzgjidhen në formacionin ideal. Pak javë më parë ishte Sadiku që u përzgjodh mes më të mirëve, pasi shënoi 2 gola në ndeshje me skuadrën e tij. Këtë herë, ka qenë Bare që ka provuar shijen e pranisë në 11-shen më të mirë të La Liga 2 për javën e 22-të të kampionatit. Vlerësimi mes më të mirëve është bërë publik nga vetë La Liga në faqen e saj për atë paraqitje që dha mesfushori ndaj Oviedos, duke organizuar lojën e ekipit të tij, por edhe duke tentuar disa herë të gjente rrjetën me goditje nga jashtë zonës.
Ndërkohë, ka qenë klubi i Rajo Vajekanos i cili disa ditë më parë përpiloi një ofertë prej 500.000 mijë eurosh për fierakun, por që u refuzua pasi shuma e ofruar ishte shumë e ulët. Megjithatë, Vajakano po këmbëngul për 22-vjeçarin dhe së fundmi ka trefishuar ofertën duke ofruar 1.5 milionë euro për Baren. Por, Malaga duket se ka rezistuar edhe këtë herë dhe ka refuzuar sërish ofertën për shqiptarin. Rajo ashtu si Malaga është pjesë e Segunda Divizion, por përsa i përket klasifikimit është në pozita më komode se ekipi kua aktivizohen aktualisht Bare dhe Sadiku.