Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se baleti “Halili dhe Hajria”, hapi siparin e veprave kombëtare në skenën tonë. Në kuadër të ciklit opera histori, TOB shprehet se ishte një nga veprat më të rëndësishme, nga kompozitori Tish Daija. “Një nga veprat më të rëndësishme të krijuara nga kolosët e TKOBAP, në 13 janar të vitit 1963 është baleti “Halili dhe Hajria”, baleti i parë shqiptar, që hap siparin e baleteve kombëtare, i vënë në skenë nga kompozitori Tish Daija, baletmaestër Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja”, shprehet TOB.
Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet artistët Luan Shtino, Miltiadh Papa, Agron Aliaj, Skënder Jazexhiu, etj. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Ky balet është baleti më i rivënë në skenën e TOB dhe jashtë tij si në Greqi, Itali, Turqi, Francë. . Subjekti është mbështetur në dramën me të njëjtin emër të Kol Jakovës dhe pak a shumë tregon për qëndresën e malësoreve kundër shtypjes otomane në Shqipëri.
Trupa e baletit të TKOB u formua në vitin 1950 së bashku me filarmoninë shqiptare, që më pas u përfshi në vitin 1953 në TKOB. Ajo u krijua fillimisht nga balerinë të përgatitur në kurset e para të baletit pranë qendrave të fëmijëve dhe vetë Filarmonisë. Kjo trupë u pasurua më vonë me solistë të përgatitur në Moskë (Bashkimi Sovjetik) të cilët u bënë dhe promotorë të krijimit të Shkollës së Baletit e më pas të TKOB. Baletmaestrat e kësaj trupe ishin Georgi Perkun ardhur nga Rusia, Panajot Kanaçi “Artist i Popullit”, Agron Aliaj “Artist i Popullit”, profesor Skënder Selimi etj, që kanë dhënë një kontribut shumë të çmuar në formimin dhe konsolidimin tekniko-artistik dhe profesional të trupës së baletit.
Në turnetë e zhvilluara në Kinë, Itali, Turqi, Francë, Greqi, Maqedoni, Amerikë dhe shumë shtete të tjera, trupa e baletit të TKOB është pritur mjaft mirë duke korrur sukses të merituar. Për merita të shquara në fushën e ekzekutimit dhe përhapjes së baletit shqiptar dhe atij botëror, trupa e baletit dhe solistët e tij janë nderuar me tituj nderi, çmime e medalje të ndryshme nga shteti shqiptar dhe me gjerë. Nga kjo trupë kanë dalë pedagogët e parë dhe drejtuesit e shkollës koreografike shqiptare.