Teksa nuk janë bërë ende dy muaj nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit, që shkatërroi shumë banesa, duke detyruar banorët të largohen, kanë nisur grabitjet në qytetin e Durrësit.
Raportohet se janë grabitur dy hyrjet e një pallati të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Mësohet se hajdutët kanë shqyer dyert e apartamenteve gjatë natës, dhe kanë hyrë brenda, duke marrë gjithçka.
Siç raporton gazetarja Haxhiaj, pre e vjedhjes ka rënë pallati i Jedas, i cili ishte ndër më të dëmtuarit nga tërmeti. Ky pallat ruhej me patrullë policie prej ditësh, por siç duket hajdutët kanë shfrytëzuar natën për të kryer grabitjen.
Ndërkohë, në vendngjarje ka mbërritur policia shkencore, e cila po ekzaminon gjurmët në të dyja dyert e hyrjeve të grabitura. Pallati i grabitur ka 285 hyrje dhe është dëmtuar rëndë në pesë katet e para të tij, bashkë me disa prej kolonave mbajtëse.