Komedia “Revizori” në skenë për publikun, me fokus klasën politike të korruptuar

0
284

Komedia “Revizori” vepër nga Nikolai Gogol këtë mbrëmje ngjitet në skenë te “ArTurbina”. Shfaqja teatrore me regji nga Driada Dervishi vjen në skenën pas suksesit që pati në teatrin e Durrësit “Aleksandër Moisu”. Një histori korrupsioni, paaftësie dhe injorance e intrige, të gjithë këto vese të pushtetarëve mediokër në veprën “Revizori”. Teatri Kombëtar bën me dije se komedia do të jetë në skenë te “ArTurbina” në datat 9, 10, 11 dhe 12 janar. Komedia interpretohet nga aktorët Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Gentian Zeneli, Amos Zaharia, Adelina Muça, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Gjergj Doçi, Jaho Guma dhe Erjon Hodo. Kjo është shfaqja më e re regjisores së njohur Driada Dervishi, e cila shprehet se e shkruar në vitin 1836, kjo komedi konsiderohet si një nga kryeveprat e shkrimtarit Nikolaj Gogol.

“Një shfaqje e veshur plot me ironi, tone groteske, e përshkruan një klasë të korruptuar që drejton një qytet të vogël, një klasë ku injoranca, babëzia dhe rryshfeti mbizotërojnë. Kur dikush nga lart vjen për të inspektuar punën e kësaj klase të gjithë e humbin toruan dhe janë të gatshëm për çdo gjë për të mos humbur pushtetin”, tregon regjisorja Dervishi për këtë komedi, që sonte vjen në skenën në Tiranë për herë të parë.

Muzika mban emrin e autorit të njohur Haig Zacharian dhe koreografia nga Elton Çefa. E njohur edhe me titullin “Kryeinspektori” kjo vepër është vënë në vitin 1972 në teatrin e Durrësit, me regji të Vangjel Hebës, por tani vjen me një koncept të ri nga regjisorja Driada Dervishi. Kjo është dhe shfaqja e parë, që regjisorja Dervishi sjell këtë vit të ri në skenë për publikun, e cila ka marrë deri tani vlerësime. Më herët regjisorja Driada Dervishi ka treguar se në qendër të saj është një administratë e korruptuar, një fenomen që e has në kohët tona. “Mendoj që sot po ta lexosh Gogolin, shikon se sa sot bota ka ndryshuar. Është shumë e vështirë për të bërë ndryshime të mëdha. Në këtë kontekst kjo vepër është një komedi e njohur në të gjithë botën”, thotë ajo.

Komedia dhe kritika

Kritika bie dakord për gjenialitetin e komikes dhe dramatikes të përdorur tek vepra “Revizori” dhe e etiketon një kryevepër komike, madje në një komeditë më të mëdha të shkruara ndonjëherë në skenën ruse. Gogoli është cilësuar si babai i realizmit rus dhe “Revizori” prezantoi parimet dramatike të realizmit në skenë. Nevoja për një realizëm e vërtetësi në skenë ishte një nga shqetësimet e tij kryesore, duke pasur parasysh dhe natyralizmin e asaj kohe. Ai qëllimisht gërsheton burleskun me një fabul të jetës së përditshme, që u flet vazhdimisht njerëzve.

Kjo komedi vjen sot si një domethënie e ngjarjeve të përditshme. “Revizori” hyn në vetë thelbin e teatrit, i cili konsiston në të bërit shfaqje të gjalla të ngjarjeve të ndodhura apo të trilluara ndërmjet qenieve njerëzore, duke i parë nga këndvështrim zbavitës. Ironia, keqkuptimi dhe situata komike përbëjnë thelbin e “Revizorit”. Subjekti është mjaft lexueshëm, që flet mbi korrupsionin dhe kalbësinë e një sistemi. Ai vendoset enkas në një qytet të vogël, disi të humbur ku kryetari i tij është i zhytur në korrupsion po ashtu dhe ata që vijnë pas tij, duke dhënë kështu idenë se të gjithë qytetet e kanë një administratë të tillë. Gogoli gjithsesi ia vë fajin individëve dhe jo kushteve, pasi janë ata vetë që i ndërtojnë kushtet. Gjatë muajit mars të 2019 e pamë regjisoren Driada Dervishin tek komedia “8 Femrat”, për të vijuar dhe me shfaqjen “Komedia që shkon për dreq” si dhe “Shirli Valentina”, tani ajo vjen para publikut me “Revizori”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here