Dy javët e fundit të janarit do të jenë vendimtare sa i takon hetimeve ndaj kreut demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Pak kohë më parë Prokuroria e Tiranës pushoi akuzën e pastrimit të parave për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Organi i akuzës mbylli hetimet për çështjen e lobimeve në SHBA për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, duke e dërguar dosjen në gjykatë. Kryedemokrati tashmë është i pandehur për akuzën e falsifikimit të formularit. Gjithashtu hetimet janë mbyllur edhe ndaj ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani dhe shefit të financës Ilir Dervishi, ndërsa dosja është dërguar në gjykatë po për të njëjtën akuzë. Por në datën 13 janar në Gjykatën e Tiranës do të mbahet seanca paraprake, ku do të vuloset edhe fati i Bashës. Në këtë datë do të vendoset nëse dosja që ka mbërritur nga prokuroria është e plotë dhe do të hyjë për gjykim, apo do kthehet mbrapsht.
Nëse dosja kalon në gjykim, atëherë kreu demokrat do t’i shpëtojë hetimit nga SPAK. Por nëse Gjykata e Tiranës shprehet se dosja nuk është e plotë dhe do të kthehet për tu plotësuar, atëherë mund të themi se ndër zyrtarët e parë që do të kalojnë për hetim në SPAK është Lulzim Basha. Por duke iu referuar akuzave që janë ngritur ndaj tij, shanset që dosja e Bashës të kalojë në SPAK janë të mëdha.
Hetimet për Berishën
Një tjetër çështje e bujshme që pritet të hetohet nga SPAK është edhe dosja e “CEZ”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha. Dosja ka dy vite në organin e akuzës dhe në fund të 2019 prokurori kërkoi në gjykatë pushimin e hetimeve, me argumentin se nuk ka prova për të pandehurit. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesi i Kuvendit, Taulant Balla, si person paditës. Ai kërkoi që hetimet të vijojnë, por nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Gjyqtari e shtyu çështjen për në datën 24 janar.
Në këtë datë do të vendoset nëse do mbyllet dosja e CEZ, apo kjo çështje do kalojë për kompetencë te SPAK. Nëse vihet në lëvizje Prokuroria e Posaçme, atëherë pritet të ketë zhvillime, pasi dosja CEZ është ndër më voluminozet dhe janë të përfshirë shumë persona. Në padinë e dorëzuar për aferën e CEZ, pretendohet se janë bërë 8 shkelje nga ish-qeveria “Berisha”.
“Provohet se një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit gjatë viteve 2005-2013, duke qenë persona që ushtronin funksionet më të larta publike, me veprime aktive dhe mosveprime, kanë synuar dhe realizuar ardhjen e pasojave të kundraligjshme, që janë: Nxjerrja për privatizim i një shoqërie të sapo krijuar, por me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjetik të sajin, pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, pa asete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj në favor të CEZ; Duke ndryshuar tregues specifikë në Deklaratat Rregullatore dhe duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe imponuar ERE në vendimmarrje të kundraligjshme”, thuhet në padi