Rudina Hajdari: Do shoh mundësinë të jap kontributin tim përmes krijimit të një partie të re, opozita e pavendosur për shkarkimin e Metës

0
251

Dominimit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në skenën politike shqiptare duket se do t’i vijë fundi. Të paktën kështu mendon deri më tani deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, e cila pritet që të shfrytëzojë përplasjen dhe jetëgjatësinë e këtyre dy partive politike për t’u bërë protagoniste. Gjatë një prononcimi për mediat, deputetja Hajdari deklaroi dje se në kushtet kur partitë e mëdha po përplasin brirët me njëra-tjetrën, opozita e re do të shfrytëzojë kapacitet e saj, sikundër është ngritja e një partie të re, në mënyrë që të përfaqësojë qytetarët e zhgënjyer nga PD, PS, etj. “Nuk do ndalem, do shoh mundësinë të jap kontributin tim modest. Demokracia në vend ka çaluar vitet e fundit dhe mendoj se 2020 duhet të jetë rikthimi në bazë dhe ringritja e një demokracie të shëndoshë”, deklaroi ajo. Ndërkohë, një tjetër çështje e nxehtë politike që do na shoqërojë dhe në 2020, është nisma e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. E pyetur nëse shumica qeverisëse do ta ketë votën e saj për ta shkarkuar kreun e shtetit, Hajdari u përgjigj se është ende herët për të vendosur dhe se opozita do të vendosë në finale në bazë të hetimeve të komisionit hetimor. “Si ligjvënës mendoj se nuk duhet të shpejtojmë dhe të marrim hapa radikalë, sepse nxisin hapa të tjerë radikalë. Nuk është diçka emergjente, sepse mbi të gjitha njerëzit kanë nevojë për procese transparente dhe të drejta”, u shpreh ajo. Më tej, deputetja Hajdari deklaroi se reforma zgjedhore do të jetë gati. Madje, për herë të parë zonja Hajdari zbut qëndrimin dhe ndaj Partisë Demokratike në këtë proces, duke i lënë hapur derën për ta miratuar së bashku reformën. “2020 do jetë patjetër përfundimi i reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, do jetë vit i rëndësishëm pas vitit që lamë pas, do jetë i vështirë po ashtu, por një vit i së vërtetës. Partia Demokratike, por edhe partitë e tjera opozitare e panë veten ngushtë se nuk kishin mundësi për të dhënë kontributin brenda Parlamentit. Janë bërë më të ndërgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm se një vit më parë se po ta mbani mend, një vit më parë ishin më pak te predispozuar për t’u marrë me reformën zgjedhore”, nënvizoi deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here