Irani është duke marrë në konsideratë dhe shqyrtim 13 skenarë hakmarrjeje, si një kundërpërgjigje kjo ndaj sulmit ajror amerikan që i mori jetën gjeneralit Qassem Soleimani në Irak.
Lajmi në fjalë u bë me dijeni nga një zyrtar i lartë, saktësisht nga sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Ali Shamhani, shkruajnë mediat e huaja
“Amerikanët duhet ta dinë se 13 skenarë hakmarrjeje janë diskutuar deri më tani në Këshill, dhe nëse biem në konsensus për të ekzekutuar skenarin më të rëndë, ai mund të jetë një makth historik për amerikanët”, paralajmëroi Ali Shamhani.
Më tej, Shamhani shtoi se bazat amerikane në të gjithë Irakun janë duke u mbajtur nën mbikëqyrje të plotë, nga ku pretendohet se dihet numrin i saktë i personelit dhe pajisjeve që mbahen në secilën prej tyre.
“Ne këmbëngulim që të gjitha trupat të tërhiqen,” tha ai, sipas gazetës iraniane Resalat. “Nëse trupat duan të gërmojnë në baza, ne do t’i shkatërrojmë ato.”
Më tej vazhdoi: “Ata që zvarriten nëpër strehëza dhe mbyllin dyert duke shpresuar të shpëtojnë nga hakmarrja jonë, nuk janë të vetëdijshëm se Republika Islamike do të hapë derën për në ferr. Nëse trupat amerikane nuk e lënë rajonin tonë vullnetarisht, ne do të bëjmë gjithçka për t’i larguar.”
Ju kujtojmë se Irani është zotuar të bëjë një hakmarrje shkatërruese për vrasjen e Soleimani, e cili pritet të marrë hov sot, pas një periudhe tre-ditore të zisë.