Komedia “Karnavalet e Korçës”, dy mbrëmje në skenën e teatrit në Kosovë

    0
    664

    Komedia “Karnavalet e Korçës” nga Spiro Çomora në regji të Altin Bashës këtë javë u shfaq dy mbrëmje me radhë për publikun në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Një vepër teatrore e suksesshme, që deri tani është mirëpritur nga publiku, por këto ditë dhjetori Teatri Kombëtar i Kosovës lajmëron se ajo u rikthye për publikun mbrëmjet e datave 24 dhe 25 dhjetor. Në komedi luajnë aktorët Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Adem Karaga, Molikë Maxhuni, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka, Qendresa Kajtazi. Kompozitor Trimor Dhomi, skenografia dhe kostumografia Iliriana Hoxha Basha dhe skulptor Artan Hasani. “Karnavalet e Korçës” me regji të Altin Bashës u vlerësua në muajin tetor me çmimin “Grand Prix” për shfaqjen më të mirë në “Skupi Festival”. “Grand Prix” ishte dhe çmimi i vetëm në këtë festival, që zhvilloi edicionin e 13. Sipas jurisë, komedia “Karnavalet e Korçës” vjen si realizim që vë në pah ridimensionimin konceptual regjisorial, në të cilin dramaturgjia realiste tingëllon e freskët. “Kemi të bëjmë me një teatër ansambël, që bashkon në mënyrë harmonike të gjitha elementet skenikë (aktrimin, këngën, kostumet, skenografinë). “Karnavalet e Korçës” ka një ritëm mjaft dinamik, që komunikimin me publikun e arrin duke krijuar atmosferë, e cila ishte në funksion të shfaqjes”, shprehet mes të tjerave juria për këtë vepër teatrore. Ngjarjet në komedi zhvillohen në Korçë, në mjedisin e këtij qyteti në vitin 1936. Dyshja Nikollaq dhe Olimbi, çifti i bashkëshortëve që përfaqësojnë tregtarët e vegjël të Korçës është një dyshe sa komike, aq edhe tragjike. Ata janë në një synim të përbashkët: ta martojnë çupën e tyre të vetme Afrovitin, por mendimet i kanë të ndryshme. Në thelb ata janë dy prindër egoistë, të cilët jo vetëm që nuk e ndihmojnë vajzën e tyre, po e vendosin atë në situata qesharake e tragjikomike. Afroviti është pasqyra e prindërve të saj, por nëse ata janë të rrahur nga jeta, ajo shfaqet me gjithë mendjelehtësinë, dashakeqësinë dhe antipatinë e një vajze të moshës së saj. Spiro Çomora (Korfuz, 31 janar 1918 – Tiranë, 1973) ishte mbledhës folklori, gjyqtar, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike “Syfete”, “Për njoftim e për veprim”, “Maska dhe fytyra” dhe “Skena e prapaskena”.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here