Kur kanë kaluar katër ditë nga vënia e eksplozivit në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi, grupi hetimor ka dalë në përfundimin se autori nuk ka vepruar i vetëm. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autori i vendosjes së tritolit në automjetin e prokurorit Kuliçi është ndihmuar nga të paktën dy persona të tjerë. Nga hetimet e deritanishme konfirmohet se në vendin e ngjarjes nga këqyrja paraprake e pamjeve të kamerave të sigurisë, është vënë re lëvizja e një personi të maskuar vetëm pak minuta para shpërthimit. Po ashtu, një automjet është parë që ka lëvizur në zonë rreth orës kur edhe ndodhi shpërthimi, duke u afruar pranë automjetit të parkuar të prokurorit. Nga aty ka dalë një person i maskuar, që dyshohet të ketë hedhur lëndën plasëse dhe më pas largohet. Pikërisht këto pamje janë duke u parë nga grupi hetimor, me qëllim për të shkuar drejt identifikimit të autorëve të ngjarjes. Prokurorit Kuliçi, katër ditë më parë iu vu një sasi e konsiderueshme tritoli në makinën e tij. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se kamerat kanë arritur të kapin autorin edhe gjatë momentit të afrimit dhe largimit. Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje prokurori Albert Kuliçi dhe disa persona të tjerë. Ndërkohë ngjarja është klasifikuar se ka lidhje me detyrën e prokurorit. Sipas grupit hetimor, kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin, i cili ishte i maskuar dhe ka vepruar me shpejtësi. Autori ka dalë nga një makinë në një rrugicë paralele me vendin e ngjarjes dhe më pas është drejtuar me qetësi për tek makina e prokurorit. Ai ka hedhur një pako me eksploziv dhe më pas është larguar me shpejtësi. Pas 30 sekondave lënda plasëse është aktivizuar dhe ka shpërthyer duke shkatërruar makinën e prokurorit Kuliçi. Lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje prokurori Albert Kuliçi dhe disa persona të tjerë. Ndërkohë ngjarja është klasifikuar se ka lidhje me detyrën e tij të prokurorit. Dyshohet se bëhet fjalë për një paralajmërim për prokurorin e “çështjeve të nxehta”, i cili ka hetuar dhe çuar në gjykatë një sërë dosje penale, përfshirë këtu dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.
Atentati
Makina e prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi u hodh në erë mëngjesin e të shtunës nga një sasi tritoli që i ishte vendosur nga persona ende të panjohur. Policia njoftoi se ngjarja kishte ndodhur në orën 6.45 në lagjen “29 Nëntori” ndërsa bëri me dije se bashkë me makinën e prokurorit ishte dëmtuar edhe mjeti i një qytetari që ndodhej pranë. “Si pasojë e shpërthimit dyshohet se është dëmtuar pjesërisht edhe një automjet tjetër i parkuar afër. Nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale. Mjeti Volksëagen është në pronësi të shtetasit Albert Kuliçi, me detyrë Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”, njoftoi policia. Menjëherë pas atentatit në shtëpinë e Kuliçit kanë shkuar kolegë dhe gjyqtarë të Vlorës, ndërsa në qytet mbërritën ekspertë të njësisë antieksploziv nga Tirana. Në një bisedë telefonike për BIRN kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë Skënder Haluci tha se Kuliçi ishte një nga prokurorët më të mirë në Shqipëri. “Atentati është një sulm ndaj drejtësisë”, tha Haluci. Kuliçi kishte në hetim një sërë çështjesh mbi tjetërsimin e pronave në bregdet dhe po ashtu hetime të tjera të rëndësishme, por ende nuk është e qartë se cili është motivi i atentatit. Ky nuk është atentati i parë ndaj funksionarëve të drejtësisë gjatë këtij viti. Më herët më 25 nëntor makina e Andri Ymerit gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër u dogj. Ndërkohë që në fillim të nëntorit prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja u sulmua me armë. Në atentat mbeti i vrarë shoferi i Ndojës, ndërsa prokurori dhe një person i identifikuar si Pëllumb Muharremaj, i cili sipas policisë ka një sërë precedentësh penalë. Ndërkohë në qytetin e Vlorës shkatërrimi i makinave me zjarr dhe eksploziv është kthyer në një model kërcënimi. Duke u bazuar edhe në ngjarjet shumica e sulmeve të kësaj natyre nuk zbardheshin.
Elvis MYRTA