Ministria e Arsimit ka vendosur ditën e djeshme që të rikthejë doktoraturat pas pesë vitesh pezullim. Tanimë, për studentët që dëshirojnë të vijojnë ciklin e tretë të studimeve, Ministria e Arsimit ka rihapur këtë proces. Ky është një lajm i mirë për fushën e arsimit, pasi këtë herë është vendosur dhe shtrëngimi i masave për të fituar titullin Doktor, çka përkthehet me më shumë punë të dinjitetshme. Kujtojmë se shumë personave që mbanin titullin doktor shkencash iu kanë dalë hapur plagjiaturat duke e hedhur poshtë kështu punën e tyre. Drita jeshile për këtë proces me rëndësi për botën akademike shqiptare bazohet në VKM-në numër 808, e datës 11 dhjetor 2019. Në këtë VKM përcaktohet qartë se udhëheqësi shkencor do të ketë një numër më të kufizuar doktorantësh, nga pesë ose shtatë kandidatë që ishte në tre doktorantë pavarësisht nëse udhëheqësi shkencor është i angazhuar me kohë të pjesshme në universitet. Kësisoj sipas udhëzimit, sqarohet se një profesor do të udhëheqë jo më shumë se tre doktorantë. Ndërsa ata që mbajnë titullin profesor i asociuar do të udhëheqin jo më shumë se dy doktorantë. Sakaq një tjetër kriter i ndryshuar është zgjerimi i gamës së titujve të revistave shkencore ku doktorantët do të duhet të publikojnë botimet e tyre. Më herët doktorantët ishin të detyruar të botonin në revistat ndërkombëtare me faktor impakti vetëm në këtë kategori, si pasojë është bërë zëvendësimi i publikimeve nga “Tomson Reuters”. Ndërsa tanimë kandidatët për të përfituar gradën shkencore do munden të publikojnë edhe në “Journal Ctitations Reports” ose dhe në Scopus. Kandidati duhet të botojë së paku shtatë artikuj shkencorë, të botuar në revista shkencore, brenda vendit ose ndërkombëtare të indeksuara. Bëjmë me dije se ky vendim i ri i Këshillit të Ministrave i hap rrugë edhe procesit të dhënies së titujve dhe gradave për të gjitha universitetet qoftë publike apo private, të cilat plotësojnë kriteret e të qenit universitet dhe që kanë të përfshirë detyrimisht edhe programin e ciklit të tretë doktoral.