Dokumentet e komunitetit ortodoks dhe hebre në Shqipëri drejt dixhitalizimit

0
297

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me dy komunitete fetare, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë si dhe Rabinatin e Shqipërisë për kryerjen e procesit të dixhitalizimit të fondeve arkivore dhe të çdo materiali tjetër, që është krijuar nga dy komunitetet, që ruhen në AQSH. Në marrëveshjen e parë të pranishëm ishin drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido dhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Episkop Asti. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehet se kjo marrëveshje, ka si qëllim bashkëpunimin e dy institucioneve për dixhitalizimin e dokumenteve arkivore të Komunitetit Ortodoks dhe institucioneve të tij, që ndodhen në AQSH. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave informoi përfaqësuesit e KOASH mbi marrëveshjet e tjera me komunitetet fetare. Përmes kësaj marrëveshjeje, përmbyllet dixhitalizimi i fondeve arkivore të të katër komuniteteve fetare në Shqipëri. Hirësi Asti vlerësoi marrëveshjen, si një hap të rëndësishëm për të dy institucionet. Ndërkaq, Rabinati Shqiptar u përfaqësua nga kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan. Marrëveshja parashikon dixhitalizimin e të gjithë fondit arkivor të personave dhe organizmave të hebrenjve në Arkivin Qendror Shtetëror, me kostot e Rabinatit, si dhe do të bashkëveprojnë për botimin e katalogjeve të referencave arkivore mbi hebrenjtë në Shqipëri. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido vlerësoi marrëveshjen si tentativën e radhës për të bërë publike në të gjithë botën historinë krenare të kombit shqiptar, në shpëtim të hebrenjve. Ai theksoi se kjo marrëveshje do të mundësojë edhe një platformë elektronike për ta përbotësuar këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e dy kombeve. Kryerabini Yoel Kaplan në fjalën e tij vlerësoi rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe theksoi se marrëveshja me Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave do t’i japë një hov të ri kërkimit shkencor mbi këtë moment të rëndësishëm historik. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here