Google search engine
Home Politike Edi Rama: SHBA mbështet takimin për mini-Shengenin, Albin Kurti kujton se ka...

Edi Rama: SHBA mbështet takimin për mini-Shengenin, Albin Kurti kujton se ka shpëtuar botën, synon të fitojë kapital duke më goditur mua

0
285

Kryeministri Edi Rama komentoi ditën e djeshme situatën aktuale në vend pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe foli për mini-Shengenin që do të mbahet në Tiranë, ku të pranishëm do të jenë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Në një intervistë për “Klan Kosova” shefi i qeverisë u shpreh se mini-Shengeni mbështetet nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, duke i bërë sërish thirrje Kosovës që të marrë pjesë. Kryeministri po ashtu kritikoi ashpër edhe qëndrimet e Albin Kurtit, duke deklaruar se po kërkon të fitoj kapital në Kosovë duke goditur vetë atë.

-U fol për arrestime pas tërmetit…

Arrestimet i kërkonte media. Ky është një proces që kërkon dokumentim dhe do kohë që të gjejmë fajtorin që u janë vërsulur ndërtimeve pa leje. Kategoria e parë janë ndërtimet e viteve ‘70-’80 që ishin ndërtime vullnetare. Kategoria tjetër ishin ndërtime të bëra individuale dhe që shkaktuan shumë probleme. Një tjetër kategori është ajo e pas viteve ’90 që kanë shtuar kate pa leje e që kanë ndërtuar pa kriter. Tërmeti ishte i fortë dhe ndërtimi i mureve nuk do të thotë që ishin ndërtuesit që gabuan. Tërmet të shkallës së lartë kanë rrafshuar qytete teknologjike në Japoni.

-Çdo tragjedi kthehet në burim force. Sa je gati t’i shkosh deri në fund përtej kësaj tragjedie?

Kur kam shkuar në Durrës atë natë dhe kam parë pas pak orësh përmasat e pasojës u tmerrova.

Dy gjërat që kam bërë: Ka qenë të luftoja vetminë. Kam telefonuar kryeministrin e Italisë, kancelaren e Gjermanisë etj, të cilët kanë qenë të gatshëm për të ndihmuar dhe më pas kam mbledhur ekipin për të diskutuar se deri ku e kemi kapacitetin. Me mijëra njerëz humben shtëpitë dhe arritëm që në më pak se 10 ditë t’i strehonim. Unë kuptova që krizë ishte sa një krizë strehimi. Po ashtu dhe një krizë nervore dhe psikologjike. Pata një tërmet nervor dhe fizik. Ngjau si një mallkim se ky vend është i destinuar të mos bëhet. Unë besoj te një Zot dhe te një gjë që është e brendshme.

-Si pate guxim që tragjedinë ta ktheje me batuta në diçka të gëzuar? A mendove se po hyje në një konflikt publik?

Unë kështu e jetoj punën time dhe jetën time. Unë nuk dua që të humbas brenda kornizës se si duhet të sillem. Unë jam unë me të gjitha të mirat dhe të këqijat. Nuk pretendoj që njerëzit të më duan, por pretendoj të shohin atë që bëjnë dhe të vlerësojnë atë që bëj. Në fund të ditës më mirë të jesh vetvetja. Në këtë rast ishte një jetë e jetuar me njerëzit. Unë jetoj me hallet e atyre. Shumë njerëz pyesin si ka mundësi të jesh kështu ose ashtu. Ndoshta kjo ka qenë rezultat i politikës së ditës.

-Si komentohet që shantazhi i opozitës ka qenë pjesë e tragjedisë?

Njerëz që më njohin e dinë që unë ky jam. Nuk e kam pasur mendjen as te sondazhet dhe askund tjetër. Unë kërkova ndihmë. I kam shkruar një mesazh Lulzim Bashës, jo publike, por në telefonin e tij. I kam thënë mendoj që bashkë të shkojmë aty ku është dhimbja, se në fund të fundit çfarë rëndësie kanë të gjitha të tjerat, kanë nevojë për ngushëllim dhe nga kush e presin? Nga ne. Kanë humbur shtëpitë, por nuk duhet të humbin sensin e përkatësisë në një vend ku nuk janë vetëm. Nuk kam marrë përgjigje. I kam bërë edhe dy thirrje publike. Është e vërtetë, Lulzim Basha është përpjekur për të mos dalë i tepërt, por vetëm kaq. Mund të vinte jo për të bërë marrëveshje, por për të qenë përtej politikës. Por janë të tjerët që përpiqen të gjuajnë nga të katërta anët. Nuk ishte rast për të bërë marrëveshje dhe politikë. Kjo do ishte në të mirë të partisë së tij. Nuk e kam ditur që njerëzit do surprizohen nga kjo që unë jam.

-Ku është faji i shtetit?

Nuk është koha të fajësojmë. Në kohën e tij, Sali Berisha e quajti mrekullinë e botës kur populli ndërtoj pa leje. Nuk besoj që është e drejtë që të bëhet ky fajësim. Solidariteti ynë është i jashtëzakonshëm. Përpjekja për të vënë rregull përballet me rezistencën e atyre që e kanë shpinë në moçal dhe të rrezikuar. Unë nuk kam mundur të vendos disa masa të reja shtrënguese për ndërtuesit, sepse interesat janë influencë mbi politikën. Kush ndërton pa leje duhet të dënohet fort. Kush merr leje për shumë ndërtesa, do dënohet më shumë nëse shkel leje. Do dënohet edhe arkitekti sepse është vepra e tij. Unë kam ulur taksat si askush tjetër më parë. Jemi në një fazë adoleshente. Secili e do shtetin për të tjerët dhe nuk e fillon te vetja në raport me shtetin.

-Kur të lësh pushtetin, a mendon se do lësh një pushtet standard që ata që vijnë mos e ndryshojnë?

Ajo që më pëlqen ta nis nga një hieroglif kineze. Nëse fjalia ka kontekst lexohet si krizë ose si mundësi. Çdo krizë është një mundësi që ne të bëjmë shtëpi e pallate shumë më të mira se sa këta që ishin para tërmetit. Njerëzit e prekur nga tërmeti të kthehen në shtëpi të re nga shteti, sikur kanë ikur jashtë shtetit. Edhe në Itali dhe Greqi i bën shteti. Njerëzve në fshat do u japim shpi të mira dhe do mundohemi t’i afrojmë me njëri tjetrin dhe të lirojmë tokë. Ka disa plane që po bëhen. Është gjynah që fëmijët të rriten të izoluar dhe të bëjnë shumë kilometra të shkojnë në shkollë. Ne do bëjmë një transformim të ri urban dhe social. Do jenë modele të reja të jetesës në komunitet. Do bëjmë në Durrës një lagje të re, Thumanën të re, Kombinatin. Do zbulojmë një rrugë që do jetë e së ardhmes. Jo vetëm qeveria jonë në mandatin tjetër, por edhe ata që do vijnë më pas. Jam i bindur që edhe njerëzit e kanë kuptuar këtë gjë, që të jemi bashkë në këtë proces e mos kthehemi mbrapa.

-Një koment për kritikët e emergjencave?

Ka qenë një goditje e rëndë dhe shumë familjarë ishin në gërmadha. Ne kemi nisur një reformim të emergjencave civile. Nuk i kemi në stadin atyre që erdhën. Ushtrinë Kosovës ia kanë bërë vëllezërit amerikan. E bën mirë mos luaj, por t’i dëgjojë, si në kohën kur pa ta Kosova nuk do ishte. Policia e Kosovës është spektakël. Sikur të ishte politika e Kosovës sa gjysma e policisë, kushedi ku do ishte.

-A beson në qeverinë shqiptare?

Besoj më shumë se çfarë besoja para tërmetit. Në ditë me diell e shajmë shumë qeverinë. Mjekët kanë qenë të mrekullueshëm; Forcat e kërkim shpëtimit janë të mrekullueshëm dhe këtë gjë na e thanë ata që erdhën. Francezët, izraelitët turqit janë fantastik.

-Kini ftuar në koncert bamirësie Vuçiç dhe Zaev? A do krijoni paqe të përkohshme?

Ne kishim përgatitur koncert në 29 nëntor dhe nuk e bëmë. Zana Çela pati një mendim të bëjmë koncert për solidaritet. Solidariteti është si moti që kur mblidhen shumë re bie e shi e kur ikin retë nuk ngelet asnjë gjurmë. Ne kishim rënë dakord që ta bënim samitin në Durrës, ku nuk do të vinë vetëm Vuçiç dhe Zaev, por nga gjithë bota. Do të vijnë nga SHBA, i dërguari special i SHBA-ve Mattheë Palmer më ka shkruar personalisht dhe më ka kërkuar dy ftesa zyrtare, sepse do të dërgojë dy persona të posaçëm nga departamenti i Shtetit në mbështetje të këtij procesi. Do të vijnë nga Komisioni Europian por akoma nuk kemi një konfirmim, nga Banka Europiane. Unë kam ftuar Francën dhe gjithë Europën. Nuk mendoj se SHBA, Gjermania, Franca, Europa, kanë ndonjë dyshim lidhur me atë aspekt shqetësues që përbën Serbia apo ka konspiracion kundër Kosovës. Kosova është fitimtare të luftës, të kthejë veten humbës? Të izolohet, edhe nga ne, që të izolohemi nga procese që janë në funksion të zgjidhjes së çështjes.

-Në datën 21 do mbahet takimi bilateral?

Është një takim bilateral i hapur për të gjithë. Kjo është rruga. Unë besoj te ajo që po bëj. Unë nuk isha hero kur ika në Beograd dhe nuk jam tradhtar që bëj këtë. Unë bëj gjëra me zemër dhe bindje. Në Kosovë mund të bëhet edhe politikë me mua. Nuk kini bërë asnjë punë në Kosovë dhe duhet të hapni një horizont. Në gjerat që besoj nuk më ndal dot askush duke më sharë apo duke më bërë pis me baltë. Kjo është rruga se po mos ishte kjo të paktën SHBA nuk do i kishim në mbështetje dhe nxitëse, por do na ndalonim ta bënim. Kosova e pagoi më shtrenjtë taksën se Serbia, sepse e kishte financiare jo politike. Macron i tha Ramushit, 4 muaj, na e jep mundësinë mua edhe kësaj (Merkel), mos e hiq tarifën, pezulloje katër muaj dhe nëse nuk ndodh asgjë, heq veton për liberalizimin e vizave. Sot do të lëviznit të lirë nëse tarifa do të përdoren si instrument dhe jo si qëllim. Kështu është kur bëhet politikë ne emër të syve të Kosovës dhe duke i pasur sytë miop

-Presidenti Vuçiç ishte i pakujdesshëm me deklaratat..

Nuk ishte i pakujdesshëm ishte skandaloz dhe unë publikisht e thash me zë të lartë. Është një simptomë e aktit që Serbia nuk është shkëputur nga e shkuara e saj. Nuk e dua Shengenin rajonal për ti bërë nder Serbisë, por për Shqipërinë dhe Kosovën. Ky është Shengeni rajonal. Një gjë e tillë u kërkua edhe në kohën e Fatos Nanos po atëherë u duk si çmenduri. Nga kjo nuk fiton vetëm Serbia. Nga liria fitojnë të gjithë dhe fiton më shumë ai që ka nevojë më shumë. Ne nuk e heqim dot kufirin se nuk na lejon BE dhe SHBA. Nuk ka gjë më të gabuar se fitimtari ta kthejë veten në humbës. Nuk ka gjë më të keqe se të vetizolohesh. Çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet me kërcitje dhëmbësh, nuk mund të zgjidhet me tarifa që janë mjete dhe jo qëllime.

-Ju jeni ndër të paktët që e mbështesnin Kurtin…

Albin Kurtin e kam përkrahur dhe dua të jetë bashkëpunues për të mirën e Kosovës dhe nuk ja uroj të bëjë si kryeministër atë që është duke bërë tani që është mes kryetar partie e kryeministër. Nuk ja uroj. Ishin në tavolinë. Kanë ngrëne e kanë pirë në tavolinë. Unë takohem me Vuçiç dhe debatoj për Kosovë. Është debat i fortë, por kemi rënë dakord që s’biem dakord në këtë pikë. Unë mendoj se në këtë proces ka shumë progres. Ky proces ka bërë që presidenti i Serbisë të pranojë Shengenin. Të pranojë se nëse Kosova bën marrëveshje, hapet kufiri. Si u pranua kjo duke tundur dhëmbët me portale? Jo, me proces.

-Ju thatë që Degoli ka bërë marrëveshje me Italinë për interes të Francës. Çfarë fitohet me marrëveshje?

Kosova fiton të parin kufirin. Në momentin që jep dakordësinë për tu ulur. Për të hequr kufirin normalisht duhen ca masa, se nuk është hiq kufirin e KCK ikën në Kosovë. Kemi bërë një analizë për këtë gjë. Nuk kemi hyrë me ëndrra. Me ëndrra dhe me plan. Shikoni çfarë thotë BB. Sa qindra vit pritje kanë në kufi njerëzit.

-A ka përparësi Serbia krahasuar me ne?

Serbia nuk ka asnjë përparësi. Ne duhet të shohim veten. Humbet ai që është më i dobët. Ne kemi plot produkte që i kemi në ekspansion, si produkte bujqësore apo materiale ndërtimi që Serbia ka nevojë. Po ashtu ne kemi turizmin dhe Serbia fiton nga kjo dhe fitojmë dhe ne. Kosova ka vetëm fitime. Shengeni është transformues, si për lëvizjen e njerëzve se nuk do hysh e do dalësh të kontrollohesh. Është transformues për mallrat, kapitalet e shërbimet.

-Por ekziston frika se Kosova humb shtetësinë?

Kosova e ka në dorë vetë të heqë kufirin. Nëse do e mban, nuk është detyrues. Këta nuk lexojnë. Nuk duan të dëgjojnë. Këta e kanë nisur me mendimin të fitojnë kapital duke i rënë Ramës dhe duke u bashkuar me opozitën në Shqipëri. Vjen njëri që ka fituar zgjedhjet në Kosovë dhe kujton se do shpëtojë botën dhe më thotë mua mos u ngut. Më vjen keq për Thaçin, i cili bën një piruetë 360 gradë dhe bie në të njëjtin pozicion. Thaçi ka qenë në tavolinë nga çfarë tavolinë po ikën? E përmend sepse kjo është një virus që rrezikon tu hyjë të gjithëve dhe të hyjnë në një garë se kush është më patriot dhe kush shpallet tradhtar. Nuk më arrin dot peng mua duke më shpallur tradhtar. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here