Grushte dhe 5 kartonë të kuq në Durrës, Partizani regjistron humbjen e tretë radhazi në 10 ditë

0
324

Kampionat si ky i sivjetmi vështirë t’i gjendet shoku në ecurinë e garës futbollistike në Shqipëri. Ka një ngjeshje të pazakontë në renditje dhe nuk kuptohet kush është pretendenti për titull. Java e 16-të e Kategorisë Superiore e luajtur dje dhuroi surpriza të tjera në këtë fundviti, aq sa Bylisi është shndërruar në pretendent për titull, ndërsa partizani që mbante i vetëm kreun para dhjetë ditësh, ka rënë në vend të pestë pas tri humbjesh radhazi, një disfatë e pakuptueshme për “demat e kuq”, ndërsa dy fitoret radhazi të Tiranës e kanë ngjitur atë në vend të tretë, pozicionuar për efekt golash para Partizanit rival. E çuditshme, por e vërtetë, edhe Laçi që deri dje ishte i pandalshëm pësoi disfatë në Ballsh ndaj Bylisit, kurse Vllaznia që shfaqej si hirushe për disa javë radhazi e pëson në shtëpi nga Kukësi, duke konfirmuar atë që ishte thënë dhe më herët se “Loro Boriçi” nuk po i sjell fat këtë sezon. gjithsesi, kryedueli i javës së 16-të ishte ai luajtur në Durrës, midis Teutës dhe Partizanit, një ndeshje e “skuqur”, sepse u dhanë 5 kartonë të kuq dhe pati shumë tension. E megjithatë ishin durrsakët që fituan dhe morën tri pikë që i barazon me “demat”.

Teuta merr 3 pikë, Partizani humb tre takime në 10 ditë

Humbja në derbi me Tiranën duket se ka lënë pasoja te Partizanit, që nuk ia del të marrë pikë as në transfertën e Durrësit me Teutën. Një sfidë plot tension ajo e “Niko Dovanës”, ku gjyqtari e nxori plot 5 herë kartonin e kuq (tre për Teutën e 2 për Partizanin). 1-0 fituan “Djemtë e Detit” me golin e Sherif Kallakut, të shënuar me 11-metërsh në fund të pjesës së parë. Të kota protestat e të kuqve në këtë rast, madje edhe në momentin e një ndërhyrjeje në zonën e Teutës ndaj Eraldo Çinarit, që pretendoi për penallti. Kujtojmë që në pjesën e parë vendësit goditën shtyllën, ndërsa në pjesën e dytë nuk munguan momentin e tensionit, pas një zënke të panevojshme mes Beqjes dhe Kordieros. Kryesori u tregoi kartonin e kuq jo vetëm protagonistëve kryesorë, por edhe Dukës së Teutës dhe Boldorit të Partizanit, që ndërhynë nga stolat respektivë. Në fillimit të kohës shtesë edhe Silvesetër Shkalla u detyrua të linte fushën pas kartonit të dytë të verdhë. Partizani, në fakt, e gjeti golin me Broun në zhvillimet e një këndoreje, por ndërhyri anësori që e anuloi për pozicion jashtë loje. Më këtë humbje Partizani rrëshqet në vendin e katërt, me pesë pikë më pak se Kukësi.

Kalari: Luajtëm më mirë, nuk meritonim humbjen, gjyqtarët….

Trajneri në detyrë i Partizanit, Renato Kalari, drejtoi për herë të parë “demat e kuq”, por duke mos ia dalë ta nisë aventurën e tij me fitore. Ai u mund dje në Durrës nga Teuta, 1-0, por për Kalarin situata nuk është dramatike, përkundrazi, gjithçka është e hapur. Por ai mendon se ekipi i tij nuk e meritonte ta humbiste këtë duel. “Të drejtoj Partizanin ishte ëndrra ime. Gjatë rrugës shihet nëse i ke aftësitë apo jo për trajner. Kështu erdhi situata dhe sot isha këtu për të bërë maksimumin siç kam bërë si lojtar. Më vjen keq që humbëm ndeshjen sepse në të parën kishim shumë raste të pastra. E kishim studiuar që luan në krah Durrësi dhe me krosime. Gjithsesi, ky është futbolli. Nuk mund të thuhet se ishin rivalët më të aftë sepse shumicën e lojës kemi dominuar për mendimin tim dhe shihet nga rastet që kishim. Me fat nuk ishte rast fati. Pjesën e gjykimit nuk dua ta përmend fare. Sa më shumë i shoh pamjet aq më shumë bindem se ishte penallti por nuk dua të flas për gjyqtarin. Më krijon shumë shqetësim ndërsa zhgënjim jo. Nuk dua ta komentoj sinqerisht. Të gjitha rastet janë parë”, theksoi Kalari. Në fund një mendim edhe për fitoren e rivalëve për titull, Kukësit, që tani është 5 pikë para të kuqve. “Nuk na tremb sepse nuk bëhet fjalë për frikë. Edhe Kukësi ka qenë mbrapa nesh. Na arriti, na kaloi por ka edhe 2 ndeshje nga mbyllja e fazës së dytë. Ka edhe 20 ndeshje kështu që ka kohë”, përfundoi Kalari.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here