UEFA me dy standarde, gjobit FSHF për vërshëllimat e tifozëve, kurse Francën e “përkëdheli” për ngatërrimin e himnit

0
380

Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës i UEFA-s, i ka dhënë dje një ndëshkim të rëndë Federatës Shqiptare të Futbollit, për shkak të vërshëllimave të himnit francez gjatë ndeshjes që Shqipëria luajti më 17 nëntor në “Air Albania” kundër përfaqësueses së Francës. Ishte një ndeshje e fituar nga “gjelat” 2-0, dukshëm superiorë dhe që fituan me meritë, ndërkohë që e vetmja gjë pozitive për kuqezinjtë ishte fakti se luajtën ndeshjen e parë në stadiumin e ri kombëtar, i cilësuar nga më modernët në Ballkan. Por dje FSHF dhe publiku sportdashës morën një lajm të keq nga UEFA, pikërisht për shkak të kësaj ndeshjeje. Luajtja e himnit francez është shoqëruar me vërshëllima dhe për këtë UEFA ka dënuar federatën tonë me 5 mijë euro, por gjatë kohës që luhej himni e në disa raste të tjera ka pasur dhe hedhje objektesh në fushë, ka bërë që UEFA të shtojë dozën e ndëshkimit financiar, duke e ndëshkuar FSHF-në si organizatore edhe me 15000 euro. Në total, Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës i qeverisë europiane të futbollit me 23250 euro, një shumë e konsiderueshme, mbi 16% më e madhe sesa gjoba që i njëjti institucion i vuri federatës franceze të futbollit që shkaktoi një skandal ndërkombëtar e madje dhe diplomatik, pasi ngatërroi himnin e Shqipërisë me atë të një vendi tjetër (Andorrës), e si të mos mjaftonte kjo e trashi zullumin kur spikeri u kërkoi ndjesë tifozëve armenë në një kohë që në stadium ishin tifozët shqiptarë.

Nisja e hetimit dhe ndëshkimi

UEFA kishte hapur menjëherë pas ndeshjes procesin e hetimit të takimit dhe kishte orientuar këtë hetim në tre drejtime. I pari ka të bëjë me hedhjen e objekteve të palejuara në fushë nga tifozët, për të cilën është ndëshkuar me 3250 euro. Shkelja e dytë ishte vërshëllima e himnit francez nga ana e tifozëve shqiptarë, për të cilën FSHF është ndëshkuar me 5000 euro gjobë. Ndërsa shkelja e tretë është edhe më e rëndë sipas UEFA-s, pasi i përket organizimit të pamjaftueshëm që sjell rrezik për sigurinë e tifozëve. FSHF akuzohet se ka mbyllur dyert dhe daljet në fushë të tifozëve gjatë sfidës, që vë në rrezik sigurinë e tyre në rast të një incidenti. Ndaj për këtë shkelje, FSHF është detyruar të paguajë një tjetër gjobë prej 15 mijë eurosh. Pra në total, FSHF duhet të paguajë 23250 euro për ngjarjet në ndeshjen ndaj Francës. Kështu shkruan edhe raporti që ka sjellë në federatë zyra e shtypit e UEFA-s, që lajmëron federatën tonë që duhet të bëjë derdhjen e pagesës ndëshkimo0re brenda 90 ditësh në një nga llogaritë e saj. Ultimatumi është dhënë dhe ky është një paralajmërim i fortë. Edhe pse luajtëm në stadium të ri, i konsideruar i sigurt dhe ultra modern, duket se për UEFA-n ka ende vend për të përmirësuar sigurinë në impiant. Jo çdo gjë moderne është perfekte, si duket UEFA nuk ka pasur parasysh këtë, për më tepër ndeshje hyrëse, por ka nxjerrë inatin me himnin, me siguri e shtyrë edhe nga protesta e francezëve.

Edhe Alban Bushi paralajmërohet për ndëshkim

Nuk është ndëshkuar vetëm FSHF, pasi një paralajmërim të fortë për masa ndëshkimore ka marrë edhe trajneri i përfaqësueses së 21-vjeçarëve, Alban Bushi, i cili është gjetur përgjegjës nga UEFA për një ndërhyrje që shkakton vonesë në nisjen e takimit eliminator për moshën që drejton. Dhe konkretisht, Alban Bushi ka vonuar fillimin e ndeshjes të Shpresave përballë Anglisë dhe për këtë arsye është paralajmëruar si ai, ashtu edhe FSHF, që në rast përsëritje të kësaj situate, do të përballet me sanksione disiplinore. Është e qartë tashmë se vendimet që ka marrë Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në UEFA, janë dëshmi e një “kërcënimi” për FSHF-në, në mënyrë që ajo të jetë më e vëmendshme në duelet e tjera të Kombëtares, sidomos në sensibilizimin e tifozëve që të mos kryejnë akte që shkaktojnë ndëshkime të rënda financiare e që çojnë deri në dënimin e fushës me lojë pa tifozë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here