Derbi midis Partizanit dhe Tiranës, luajtur të premten e kaluar në stadiumin e ri kombëtar, “Air Albania”, ishte një prej më të bukurve të zhvilluar në këto 20 vjetët e fundit, jo vetëm për nga emocioni dhe spektakli, por edhe nga numri i madh i të pranishmëve, pasi stadiumi i ri ishte thuajse “full”. Afro 20 mijë spektatorë i mungonin derbit të madh të kryeqytetit prej fundviteve 80-të, këtu e tri dekada më parë, por mbrëmja e së premtes së kaluar dëshmoi se ky derbi nuk e ka humbur sharmin e tij dhe në të vërtetë, për atë që dhanë skuadrat në fushë dhe tifozët në shkallët e stadiumit, ky derbi i përmbushi të gjitha pritshmëritë. Tirana arriti të fitonte pas afro gjashtë vjetësh dhe kjo ia shtoi adrenalinën jo vetëm ekipit bardheblu, por edhe rivalëve të tyre të kuq, të cilët kanë nisur të mendojnë për sfidat e ardhshme, pasi gara tani do të jetë edhe në luftën për titull. E megjithatë, impianti i ri kombëtar nuk i shpëtoi dhunës, pasi një pjesë e ultrasve kanë bërë dëme, duke dëmtuar ndenjëset, por nga ana tjetër kanë hedhur edhe objekte në fushë, pa harruar fjalorin “ekzotik” që dënohet tashmë prej rregulloreve të FSHF-së. Dhe dëmet duhen paguar, pasi është e shkruar në rregulloren e veprimtarive sportive që dëmet i paguajnë ata që i shkaktojnë dhe FSHF i ka rënë me “thikë” këtë herë, duke dënuar Partizanin dhe Tiranën në mënyrë të barabartë jo vetëm me gjobën fikse për mosmarrje masash dhe sjellje të keqe të tifozëve, plot 2 milionë lekë të vjetra secila, por edhe se vetë klubet do të jenë të detyruara të bashkëpunojnë me federatën për të shlyer dëmet e bëra. Në fakt, Komisioni i Disiplinës i mbledhur dje nuk ka pasur në fokus vetëm ndeshjen derbi të kryeqytetit, por edhe duelet e tjera të luajtura në Superiore, pa harruar edhe një ngjarje të rëndë të ndodhur në kategorinë e parë ku u dhunua një arbitër futbollit në Peqin, në ndeshjen Shkumbini-Dinamo, një ngjarje që po vijon të hetohet nga FSHF e do të merret vendim në ditët e ardhshme. Padyshim që vëmendjen e tërhoqi derbi për shkak të ndjeshmërisë së tifozëve, por Luftëtari ishte gjithashtu protagonist këtë javë, konkretisht një nga zyrtarët e klubit, i cili është ndëshkuar gjithashtu nga Disiplinori. Kështu, pranohet edhe në Gjirokastër se një goditje të rëndë ka marrë skuadra e Luftëtarit, pasi Neritan Novi, trajneri i emergjencës i emëruar pas shkarkimit të Jorgos Marantas, është pezulluar për dy ndeshjet e ardhshme e kështu nuk mund të jetë në pankinë gjatë sfidave.
Vendimet e Disiplinorit, gjithçka rrotullohet rreth derbit
Janë vendime të shkurtra që tregojnë shumë, por duket qartë se Disiplinori kishte fokusin vetëm tek derbi Partizani-Tirana, sepse kjo ndeshje ishte lajm i madh për futbollin në javën që lamë pas. “1. KF “Partizani” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/1;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë. KF “Partizani” detyrohet të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”. 2. KF “Tirana” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/2;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë. KF “Tirana” detyrohet të dëmshpërbleje dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”. 3. Zyrtari i KS Luftëtari Neritan Novi për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 55/2 te KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik. 4. Çeljen e hetimit disiplinor për incidentet në ndeshjen Shkumbini – Dinamo”, shkruhet në njoftimin e Komisionit të Disiplinës, shpërndarë nga FSHF.