Ja si u prit në Shqipëri vdekja e Stalinit dhe shpresat e ndërkombëtarëve për rrëzimin e Hoxhës, Moska 5 mijë ushtarakë në Shqipëri

0
435

Zbardhen të tjera detaje nga raportimet e mediave britanike për situatën e regjimit komunist në Shqipëri. Mediat britanike kanë shkruar se si u prit në Shqipëri. Po ashtu tregohet se Moska dërgoi 5 mijë ushtarakë në Shqipëri.

10 mars 1953

Kriza në shpërthim në Shqipëri

Raportimet nga kontinenti dhe të dhëna të tjera sinjalizojnë se vdekja e Stalinit është pritur qetësisht në shumicën e kryeqyteteve satelite, përveç Shqipërisë ku ka nisur një krizë serioze. Daily Express shkruan se diktatori i vogël Enver Hoxha mund të rrëzohet teksa raportimet nga kufiri jugosllav flasin për kabotazhe, protesta urie, lëvizje trupash dhe partizanë anti-komunistë që kontrollojnë zona të ndryshme. “Shqipëria është shteti kukull më i largët i Moskës dhe e izoluar nga toka që prej prishjes mes Titos e Kremlinit, por konsiderohet i rëndësishëm nga ky i fundit pasi i siguron një dalje në Mesdhe dhe ndoshta bazë nëndetësesh në rast lufte. Por gjatë 12 muajve të fundit gjërat kanë lëvizur shpejt në shtetin e vogël luftues dhe vdekja e Stalinit ndoshta po i sjell trazirat në kulm. Njerëz të inteligjencës jugosllave nuk janë të sigurtë nëse këto janë trupa ushtarake vepruese për mbylljen e kufirit për refugjatët apo nëse po ndërrohen garnizonet. Lëvizja e refugjatëve shqiptarë drejt Jugosllavisë është aq e madhe sa një kamp është ngritur për ta Prishtinë. Komiteti i refugjatëve ka kontakte të fshehta në radio me partizanë anti-sovjetikë brenda Shqipërisë. Raportimet prej andej tregojnë se Tirana mund të jetë e dyta që ndjek Titon jashtë orbitës sovjetike. Mbështetja kryesore e Hoxhës vjen nga fshatarësia dhe trupat e pajisura mirë sovjetike që janë në mbrojtje të ambasadës gjigante sovjetike. Ndërsa në ishullin e Sazanit autoritetet detare ruse po ndërtojnë vendqëndrime nëndetësesh. Nga Tirana raportohet se Hoxha ka lëshuar patrullat e policisë për të studiuar humorin e njerëzve. Ata që nuk duken haptazi të trishtuar nga vdekja e Stalinit merren në pyetje. Kryengritjet popullore në Pragë e Varshavë kundër zgjedhës sovjetike nuk duket se do të përsëriten në Shqipëri, njofton korrespondenti i Guardian. “Ndoshta asgjë e hapur nuk do të ndodhë ende për shumë kohë, por rryma po kalon në të gjithë Lindjen”, shton ai. Tani që sytë hipnotizues të Stalinit u mbyllën, komunistët që janë dhe nacionalistë pyesin veten se çfarë mund të bëhet për të përmirësuar vendet e tyre. Spastrimet sigurisht kanë reduktuar ndjeshëm numrin e atyre që mund të guxonin të flisnin, por rrethanat do të nxisin të mbijetuarit.

29 mars 1953

Gjenerali Enver Hoxha, kryeministri në dukje i sjellshëm i Shqipërisë, ka shkruar këtë javë një artikull në gazetën Pravda ku denoncon “armiqtë e Shqipërisë që po përpiqen ta sulmojnë”. Rrethet diplomatike perëndimore i konsiderojnë fjalët e Hoxhës një tentativë për të diskredituar në sytë e komunistëve Paktin e Ballkanit, që u ratifikua disa ditë më parë mes Jugosllavisë, Greqisë e Turqisë. Me këtë marrëveshje mbrojtjeje, pozita e Shqipërisë në botën komuniste bëhet akoma më e izoluar. Është tashmë e qartë megjithë informacionet e pakta nga Shqipëria, se regjimi i Hoxhës po kalon në kohë shumë kritike. Ka pasur raportime për kryengritje që prej vdekjes së Stalinit, por studiuesit nuk kanë arritur të marrin informacione nëse këto janë të ekzagjeruara apo janë eliminuar pa nisur mirë nga policia sekrete e Hoxhës me ndihmën e trupave sovjetike. Përveç ushtrisë së tij, Hoxha ka dhe ndihmën e rreth 5000 trupave elitare sovjetike që ndihmojnë policinë për sigurinë e brendshme. Autoritetet perëndimore thonë se për këtë arsye nuk duhet të kemi shumë besim për përmbysje të shpejtë të regjimit nga revolta e brendshme edhe pse udhëheqja është e pasigurtë. Dhe vetë historia e vendit përbëhet nga regjime të rrëzuara dhe çeta banditësh të drejtuara nga krerët fisnorë. Burimet diplomatike pranojnë se nuk e dinë me siguri se çfarë po ndodh në Shqipëri pasi shumë pak vende perëndimore janë të përfaqësuara aty dhe ato që përfaqësohen nuk lejohen të lëvizin lirshëm ose përtej rrezes prej dy kilometrash në kryeqytet. Por që prej kthimit të Shqipërisë në komuniste pas largimit të gjermanëve, një fluks i vazhdueshëm refugjatësh vjen prej saj dhe vëzhguesit mbledhin copat e informacionit prej tyre. Spastrimet e vazhdueshme dhe valët e arrestimeve ndodhin vazhdimisht kur nuk arrihen objektivat e prodhimit. Në vjeshtë në kohën e të korrave ka gjithmonë lëvizje të familjeve në afërsi të kufirit grek e jugosllav. Fshatarët e urrejnë regjimin aktual dhe mes këtyre njerëzve duket se vjen opozicioni kryesor ndaj regjimit të Hoxhës. Në të njëjtën kohë disa burokratë ambiciozë të diktaturës siç është Mehmet Shehu i arsimuar në Moskë, dihet se mezi presin rastin për të rrëzuar Hoxhën për qëllime personale. Por për momentin Hoxha duket se po mbahet. Shqipëria e vendosur në Adriatik ka njëfarë vlere strategjike nga pikëpamja e Rusisë, por ekspertët perëndimorë e konsiderojnë këtë shumë të kufizuar. Rusia ka dërguar shumë makineri bujqësore dhe prodhimi, por standardi i jetesës në vend mbetet shumë i ulët. Rusia dihet që ka ndërtuar vendqëndrime nëndetësesh dhe disa instalacione të tjera mbrojtjeje detare e ajrore, por nuk duket se ka gjasa të ndërtoja baza madhore për qëndrim afatgjatë apo të cilat mund të braktisen pa shumë humbje. Diplomatët perëndimorë pretendojnë se ngjarjet në Shqipëri do të arrijnë shpejt pikën ku do të shihet nëse Tirana do të zhvendoset më pranë Kremlinit apo do të anojë nga Jugosllavia.

4 gusht 1953

Kumbulla e pjekur pritet të bjerë

Shqipëria është sateliti sovjetik që ka mbetur jashtë murit komunist të Europës. Ajo është e shkëputur nga Rusia dhe satelitët e saj prandaj dhe kreu komunist Enver Hoxha i ka duart shumë të zëna me probleme të brendshme, aq sa Shqipëria duket si një kumbull e pjekur që tashmë pritet të bjerë në prehrin e Perëndimit. Greqia, Jugosllavia e Turqia që kanë arritur tashmë një marrëveshje ballkanike të lidhur me NATO-n nuk i fshehin shpresat e tyre. Ministrat e tyre të Jashtëm pranuan se Shqipëria është e gatshme tashmë për pavarësi dhe kjo sipas tyre do të ishte “një element i rëndësishëm paqeje e stabiliteti në Ballkan”. Gjeneral Hoxha po përpiqet të sigurojë mbështetjen sovjetike dhe po kryen disa reforma në vend. Një prej tyre është heqja e dënimeve për fshatarët që nuk plotësojnë kuotat e dorëzimeve e madje ka thënë se do t’i mbështesë ata me subvencione. Duke mësuar paksa nga ndryshimet në Hungari, ai ka premtuar gjithashtu të inkurajojë tregtues të vegjël privatë edhe pse me “kontrollin rigoroz të shtetit”. Kjo i leverdis Hoxhës për të pretenduar se rreziku për Shqipërinë vjen nga kufijtë e jashtëm, kur në fakt rreziku është brenda. Në male raportohet se mijëra guerilas të drejtuar nga Apostol Tenefi po presin momentin për të sulmuar.

 11 gusht 1953

Aleanca e vogël fiton terren në Ballkan

Lëvizja ruse për të prishur frontin anti-Moskë në juglindje të Evropës ka dështuar dhe grupi i ri i shteteve të Ballkanit mund të kthehet në magnet për satelitët sovjetikë. Aleanca turko-greke-jugosllave ka thënë se është e hapur për shtete të tjera ballkanike që duan të flakin tej zgjedhën sovjetike dhe Jugosllavia e marshall Titos mbetet një shembull pozitiv për këtë. Shqipëria është sateliti më i vogël e më i izoluar i Moskës dhe vazhdimisht pretendon se aleanca është një kërcënim për pavarësinë e saj. Por deklaratat e fundit pas bisedimeve të Athinës se tre vendet pjesëmarrëse e konsiderojnë Shqipërinë e pavarur si një element të rëndësishëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkan, bëjnë që Hoxha të mos mund ta përdorë këtë si mjet propagande. Se sa seriozisht e konsideron Rusia këtë grupim të lindjes, kjo mund të llogaritet nga përpjekjet që ajo po bën për ta shkatërruar. Për Turqinë ajo ka ofruar të heqë dorë nga pretendimet e vjetra për rajonet kufitare, së bashku me sugjerimin që dy vendet të rishikojnë konventën për administrimin e ngushticave të detit të Zi. Jugosllavisë Rusia i ka ofruar këmbimin e ambasadorëve për herë të parë që prej prishjes me Titon në 1947. Bashkimi Sovjetik raportohet se së shpejti do të dërgojë një ambasador në Athinë. Por gjesti më i dallueshëm që Moska mund të bëjë është të anulojë bllokadën ekonomike ndaj Jugosllavisë, të nisur që prej prishjes mes tyre.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here