Reforma në drejtësi po jep frytet e para, duke treguar se askush nuk mund ta ndalë suksesin e saj. Pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion me 8 prokurorë, të cilët priten të betohen të enjte tek presidenti Ilir Meta në një ceremoni të veçantë edhe zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm të kësaj prokurorie është çështje ditësh. Në garën janë tre kandidatët që kanë paraqitur kandidaturën për të drejtuar Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të cilët janë Arben Kraja dhe Edvin Kondili dhe Altin Dumani. Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar dje se intervistat me tre kandidatët për drejtuesin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të zhvillohet me datë 18 Dhjetor, një ditë para se institucioni në fjalë të ngrihet dhe të bëhet funksionale. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se intervistat me tre kandidatët për drejtuesin e SPAK do të zhvillohet me datë 18 Dhjetor 2019 duke filluar nga ora 9:30 tek salla e mbledhjeve të KLGJ, sipas rendit alfabetik. Intervistat do të transmetohen live me regji qendrore”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kujtojmë që, prokurori Arben Kraja kaloi me sukses vetingun në dhjetor të 2018. Ai rezultoi pa probleme në kriteret e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Kraja njihet nga të gjithë si prokurori që hetoi dosjen hetimore për abuzimet me fondet e rrugës Durrës-Kukës, ku u hetua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërsa kandidati i dytë është prokurori Edvin Kondili. Ky i fundit e kaloi me sukses këtë vit procesin e vetingut. Një nga dosjet më të rëndësishme që ka në dorë së fundmi Kondili, është ajo për 613 kilogramë kokainë që u kapën në Maminas, çështje që është i përfshirë Arbër Çekaj. Ndërkohë, kandidati i tretë është prokurori Altin Dumani, i cili është renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK, ndërsa u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi trupa e vetingut konstatoi se ai kishte burime të ligjshme për dy apartamente dhe një zyrë në Tiranë. Dumani ka hetuar disa çështje të rëndësishme.