Qeveria ka vendosur të marrë masa për të verifikuar paratë e kompanive të regjistruara në parajsat fiskale. Shumë kompani në vendin tonë, përfshirë banka dhe biznese të mëdha, janë të regjistruara në parajsat fiskale dhe kjo ka krijuar mjaft vështirësi për të kontrolluar të ardhurat që gjenerojnë. Komisioni parlamentar i Ligjeve u mblodh ditën e djeshme, ku diskutoi projektligjin “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”. Zv.ministri i Financave, Elton Haxhi u shpreh se përmes organizatës OECD do të futen në skaner kompanitë me aksionerë të huaj, ku do të bëhet i mundur shkëmbimi i informacioneve mes 100 shteteve për të zbuluar pasuritë që ata gjenerojnë. “Të gjitha subjektet raportuese që janë institucionet financiare, bankat e nivelit të dytë që mbajnë llogari të personave apo të subjekteve juridikë janë të detyruar që të mbledhin informacionin që lidhet me individë të huaj, jo rezident në Shqipëri apo me kompani që kanë pronësi të huaj dhe këtë informacion ta shkëmbejnë sipas një standardi të rënë dakord nga organizata e OECD, e cila do të bëjë të mundur këmbimin e informacionit me çdo vend sipas rezidencës të secilit subjekt juridik apo individë”, tha zv.ministri i Ekonomisë dhe Financave, Elton Haxhi. Bankat tregtare në vend kanë afat deri më 30 maj të vitit 2020 për të mbledhur informacionin mbi llogaritë financiare, fitimet apo dividendët e jorezidentëve apo kompanive me aksionarë të huaj, i cili më pas do të këmbehet me rreth 100 vende. Miratimi i draftit detyron Shqipërinë të këmbejë këtë lloj informacioni. Ligji do të nisë të veprojë që vitin e ardhshëm, duke bërë që tatimet të këmbejnë këtë lloj informacioni për llogaritë e vitit 2019. Në vendin tonë shumë biznese të mëdha nuk bëjnë deklarime të sakta të pasurisë së tyre, duke fshehur të ardhurat që gjenerojnë. Ky fenomen është kthyer në një problem serioz, model të cilin po e përdorin shumë individë me pushtet.
Ja synimi i projektligjit
Projektligji “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare” synon krijimin e një regjistri që do të listojë pronarët përfitues të kompanive të regjistruara offshore, të cilët zotërojnë mbi 25 për qind të kapitalit fillimisht dhe më pas, kufiri mund të ulet në 10 për qind. Pronësia do të jetë publike, e aksesueshme përmes internetit, ashtu siç është sot për kompanitë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku cilido mund të hyjë në ekstraktin e një subjekti dhe të shikojë të gjitha të dhënat mbi këtë subjekt, nga data e krijimit, vendimet e ndryshme dhe deri tek bilancet financiare. Ky regjistër do të bëjë transparencë dhe mbi origjinën e llogarive bankare, por ky informacion do të jetë konfidencial dhe i aksesueshëm vetëm nga disa institucione. Kjo nismë synon të bëjë transparencë mbi kompanitë e regjistruara në parajsat fiskale, me pronësi të panjohur, të cilat kanë shkaktuar debate të shumta vitet e fundit. Shumë sipërmarrje të regjistruara në këto parajsa, kryesisht në ishujt Cayman kanë fituar koncesione dhe administrojnë burimet e naftës në vend. Një nismë e ngjashme është zbatuar në vitin 2018 edhe nga Serbia.
Elisjeda Kiko