Moikom Zeqo: Institucionet nuk kanë specialistë për restaurimet, duhet studim për kullën B të kalasë në Durrës

0
519

Tërmeti solli dhe dëmtime në disa prej monumenteve të kulturës në vend. Për specialistët e fushë së trashëgimisë kulturore, duhet të kryhen studime paraprake në raste të ndërhyrjeve në monumente. Por sipas tyre problemi qëndron, që në institucionet tona mungojnë profesionistët në fushën e trashëgimisë kulturore. Arkeologu dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo, shprehet se nga institucionet përgjegjëse për trashëgiminë tonë kulturore duhet të punohet me shumë vëmendje për monumentet. Sipas tij, në rastin e kullës B të kështjellës bizantine të Durrësit duhet të tregohet shumë kujdes nga Ministria e Kulturës. Në intervistën për “SOT”, arkeologu dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo pohon se për ndërhyrjen në këtë kullë duhet të porositen tulla të posaçme që kërkon monumenti, por sipas tij problemi qëndron kush do ta bëjë restaurimin. Për arkeologun dhe studiuesin Moikom Zeqo, sot nuk ka restauratorë të kalave në vend. Përballë kësaj gjendje, sipas tij ndër vite është treguar se institucionet nuk kanë pasur në vëmendje monumentet e kulturës në vend, ku dëmtimet dhe vjedhjet nuk kanë munguar.

-Tërmeti ka dëmtuar dhe monumentet e kulturës në vend. Ju jeni njohur me këtë situatë. Çfarë kërkoni nga institucionet për ndërhyrjet, që ju mendoni se mund të bëhen në monumentet e kulturës që janë dëmtuar?

Tërmeti në vend veç të tjerave dëmtoi edhe disa monumente shumë të rëndësishme të kulturës. Nëse tërmeti i viti 1979 qe masiv dhe shkatërroi shumë godina, nuk kemi ndonjë rast të prishjes së monumenteve të kulturës. Në rastin konkret dua të flas për kullën B të kështjellës bizantine të Durrësit. Në murin e saj mbështetës ka dhe shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut, që e kam konceptuar dhe realizuar unë si muzeumolog. Muri nuk ka lëvizur, por kulla B ka një çarje të madhe nga lartësia e bedenave deri poshtë. Tani me sa di unë ka dëmtime dhe kulla e sahatit në Prezë, por më duket ka dhe në kullën në Krujës. Unë po flas nga pikëpamja profesionale, dhe profesionalisht mund të restaurohen këto monumente kulturore, sidomos kulla B e kështjellës bizantine të Durrësit. Por kulla B e Durrësit kërkon një specifikë, që tullat duhet të jenë të madhësisë bizantine, që ishin në shekullin e gjashtë. Pra duhen prodhuar tulla të posaçme, që të bëhet restaurimi. Ne kur është bërë dikur restaurimi i pjesshëm i kalasë së Durrësit këto tulla bëheshin në fabrikën e tullave, që kishte Durrësi. Porositeshin raportet hapësinore aq sa duheshin këto tulla, sepse ato janë tulla tipike bizantine. Tani kush do ti bëjë këto restaurime? Ne nuk kemi specialistë të restaurimit të kalave sot, nuk kemi asnjë specialist, i cili të bëjë restaurimin e kullës B në Durrës, pavarësisht se mund të nxirret një fond për restaurimin e kësaj kulle në Durrës, sepse është në një vend shumë të dukshëm dhe bie shumë në sy, është në anë të rrugës. Madje unë kam nostalgji, sepse shumë afër aty është dhe shtëpia, ku unë kam lindur në Durrës. Pra ajo që unë mendoj, është kush do ta bëjë restaurimin e kësaj kulle? Me sa di unë, në Institutin e Monumenteve të Kulturës e deri në Ministri të Kulturës mungojnë restauratorët e specializuar për monumentet e kulturës në vend. Ky është problemi. Restaurimi te kulla e sahatit në Prezë mendoj se është më e thjeshtë. Ndërsa në Krujë me sa di është dëmtuar kulla në kala. Nga Ministria e Kulturës si fillim duhet parë gjithë lista nëse ka dëmtime të monumenteve, sepse ka dëmtime edhe të mureve nëpër muzeume që janë në dispozicion të saj ose në juridiksionin e saj. Por duhet shumë punë për monumentet e kulturës në vend, sepse problemet janë nga më të ndryshmet.

-Jemi në muajin e fundit të këtij viti, kur flasim për trashëgiminë kulturore, çfarë ju ka shqetësuar më shumë si një nga specialistët e saj?

Unë di t’ju them, që për sa i përket monumenteve të kulturës në Shqipëri bëhet vetëm një reklamë, që nuk ka as vlerën e guidës. Duket sikur po bëhet ndonjë gjë të madhe për kulturën, mundet në aspekte të tjera, por në aspektin e monumenteve të kulturës të trashëgimisë, më duket një gjendje stanjacioni dhe llafollogjie, jo të veprimit konkret dhe shkencor nga institucionet në vend.

-Si ish ministër i Kulturës, ku ishte përqendruar puna juaj atë kohë në monumentet e kulturës në vend?

Në kohën, që unë isha ministër i Kulturës kisha nën kontroll, të gjitha institucionet e kulturës të shtetit shqiptar. Instituti i Monumenteve të Kulturës kishte filiale në çdo qytet të madh, dhe ishin një numër i madh restauratorësh, disa qindra, të cilët kishin atelietë e tyre përkatëse në qytetet që kishin vlera, siç ishte qyteti i Durrësit, Beratit, Gjirokastra, ishte qyteti i Shkodrës, Korça, etj. Atë kohë quheshin atelie dhe ishte niveli i restaurimit më i lartë, që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Por sot tek ne mungojnë profesionistët në restaurime. Unë ju fola për një problem konkret, kush do ta restaurojë kullën B, në kështjellën bizantine të Durrësit? Kështjella bizantine në Durrës ka filluar të ndërtohet nga perandori Anastas, që ka lindur në Durrës. Muret janë ndërtuar të plotë nga periudha e perandorit ilir Justinian në shekullin e gjashtë. Unë në tullat e kështjellës së Durrësit kam gjetur monogramin e Justinianit, që varej nga ai. Tani këto kulla dhe muri bizantin janë monumenti i mureve bizantin të shekullit të gjashtë më i ruajturi në Europë, që ka qëndruar në këmbë, dhe jo më kot Durrësi është quajtur nga kronikanët si një “Kostandinopojë e dytë”.

-Ju po flisni për probleme, por para pak ditësh ministrja e Kulturës deklaroi që do të ketë bashkëpunime dhe me ekspertë të tjerë për dëmtimet që kanë monumentet e kulturës nga tërmeti në vend. Ju si e shikoni këtë?

Që të vijnë specialistë të huaj është mirë, por problemi është që tullat duhen bërë nga ne dhe ata punëtorë që do të punojnë duhet të jenë njerëz, që dalin nga ne. Restaurimi i kullës B të kështjellës bizantine të Durrësit do një studim paraprak me specialistët se si do të bëhet ky restaurim, se çarja është shumë e madhe. Nuk është e vogël është një çarje madhe, por pse ka ndodhur? Duhet bërë një projekt restaurimi, i cili ka faturën e vet financiare. Duhen para për këtë punë. Problemi, që unë ngrita është që duhen bërë tullat me përmasat si janë, sepse janë të mëdha nuk janë si ato që përdoren sot në kohët moderne. Ato janë tulla të mëdha të shtrira, të gjera. Tullat duhen bërë sipas monumentit.

-Ju dhe më parë gjatë këtij viti jeni shprehur për emergjenca në fushën e trashëgimisë kulturore. Sa rrezikojnë monumentet e kulturës në vend, nga mungesa e ndërhyrjeve?

Për monumente e kulturës unë gjykoj, që duhet të ketë pranë kryeministrit një komision emergjence. Po të kishte rënë tërmeti ta zëmë në Gjirokastër, do kishim Gjirokastrën sot? Por ra në pjesën veriore të Durrësit. Nëse e zëmë, që Kruja nuk ka dëmtime, tregon që bazamenti nuk është si në Thumanë dhe në kënetën e Durrësit, që janë bazamente kënetore. Por ajo që më ka habitur është, se kullat bizantine të Durrësit i kanë rezistuar tërmeteve, domethënë konstrukturot që i kanë bërë kanë qenë kaq mjeshtra, sa i kanë ditur që duhet të mbijetojnë nga lëvizjet sizmike dhe kullat janë akoma në këmbë. Por kulla B, që është prishur më shqetëson shumë, se duhet ditur pse ndodhi, të tjerat nuk kanë gjë. Në rastet e monumenteve Ministria e Kulturës duhet të merret më shumë se sa pallatet moderne, sepse janë të pazëvendësueshme. Pallati modern prishet dhe ndërtohet sërish, por monumenti i kulturës nuk ndërtohet. Monumenti ka një karakter ekskluziv, po u prish nuk bëhet më. Të gjitha qeveritë, të gjitha ministritë e Kulturës këto 30 vjet qofshin të djathta apo të majta nuk e kanë idenë se çfarë janë monumentet e kulturës, përveç bujës dhe reklamave lavdëruese, propagandë me një fjalë.

-Një rrjet kujdestarësh për problemet që kanë monumentet e kulturës, sipas specialistëve mungon. Si ndikon kjo sipas jush?

Rrjet kujdestarësh nuk ka më si dikur. Duhet të ketë kujdestarë, që të ruhen monumentet e kulturës në vend. Nuk po flas për qytetet e mëdha, por dhe për monumentet që kemi në pjesë malore e fusha. Unë nuk e di mirë, por më duket se ka vetëm një punonjës në Antigone apo Amantia. Por duhet patjetër të ketë një rrjet kujdestarësh dhe duhet kthyer si dikur. Monumentet e kulturës janë dëmtuar jo pak ndër vite, por dhe janë vjedhur. Nëse do të kishte kujdestarë si dikur nuk do të prisheshin afresket, nuk do të kishte vjedhje.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here