Këtë javë që vjen pritet që të zgjidhet kryeprokurori i SPAK, ndërsa data 10 dhjetor është afati i fundit i prokurorëve për të kandiduar. Deri tani, kanë kandiduar tre prokurorë, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili. Ndërsa kjo javë është afati i fundit për të zgjedhur kryeprokurorin, pasi më datën 19 dhjetor 8 prokurorët e emëruar në SPAK do të betohen tek Presidenti i Republikës. Kryeprokurori i SPAK do të jetë njeriu më i fuqishëm në drejtësi, pasi do të ketë shumë kompetenca. Roli i tij në luftën ndaj pushtetarëve të korruptuar është thelbësor. “Është drejtues administrativ i punonjësve të Prokurorisë së Posaçme. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimeve apo çështjes penale të ndjekur prej tij; u cakton çështje prokurorëve të posaçëm bazuar në specializimin e tyre; koordinon punën e njësive që janë në kompetencë të tij me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, shërbimet e inteligjencës dhe autoritetet e tjera kompetente; i paraqet Ministrisë së Financave projektbuxhetin për SPAK dhe BKH; brenda datës 1 mars, i dorëzon Këshillit të Lartë të Prokurorisë një raport vjetor me shkrim mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme; thërret mbledhjen e SPAK, kur është e nevojshme; nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim në lidhje me procedurat administrative, si dhe rregullore për funksionimin e SPAK”, thuhet në ligj. Por nuk mbaron me kaq. Kryeprokurori i SPAK do të ketë edhe kontakte me Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku do të ketë detyrë të përmirësojë marrëdhëniet e punës mes dy strukturave. “Pas konsultimit me Drejtorin e BKH dhe mbledhjes së prokurorëve të posaçëm, nxjerr udhëzime të përgjithshme me shkrim për BKH, të cilat përmirësojnë marrëdhëniet e punës, efikasitetin apo garancitë mes dy strukturave; miraton rregulloret e nxjerra nga Drejtori i BKH; cakton, në mungesë të tij, një prokuror tjetër të posaçëm në rolin e Drejtuesit të Komanduar të SPAK”, shkruhet në ligj.