Procesi i fiskalizimit, ja si do të veprohet me bizneset që lëshojnë faturë tatimore dhe kategoritë që përjashtohen, del udhëzimi

0
392

Realizimi i plotë i procesit të fiskalizimit është tashmë një nga prioritetet e qeverisë për muajt në vazhdim, në mënyrë që të eliminojë abuzimet nga bizneset. Për këtë arsye Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve prej muajsh ka filluar monitorim të detajuar në të gjitha bizneset në vend. Sipas rezultateve të deritanishme nga kontrollet e bëra një nga shkeljet e përsëritura më shumë është mos lëshimi i faturës tatimore. Bizneset shmangin lëshimin e faturës tatimore në mënyrë që deklarimi i xhirove pranë DPT të jetë më i ulët se sa reali. Duke krijuar kështu problematika të shumta në treg dhe në procesin e mbledhjeve të të ardhurave nga qeveria. Prandaj, Ministria e Financave ka publikuar një udhëzim, i cili është në proces konsultimi. Në udhëzim tregohet se si do procedohet me lëshimin e faturës tatimore, cilat janë të dhënat që duhet të përmbajë kjo faturë dhe kategoritë që përfshihen në të. Ky udhëzim zbatohet gjithashtu nga bankat, institucionet financiare jo-banka dhe subjektet e tjera që ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike sipas detyrimit të njoftimit të pagesave. Sipas ligjit lëshimi i faturës bëhet në momentin që jepet malli apo shërbimi. Në rastin kur blerësi parapaguan, shitësi duhet të lëshojë faturën menjëherë, por jo më vonë se 72 orë pas marrjes së pagesës. Nëse mallrat furnizohen pa transport, atëherë shitësi duhet të lëshojë faturën në momentin kur mallrat i janë vënë në dispozicion blerësit. Faturë gjithashtu mund të lëshohet në mënyrë periodike për disa dërgesa të mallrave të ofruara në mënyrë të vazhdueshme, fatura gjatë të njëjtit muaj kur janë kryer furnizimet.

Personat që përjashtohen

Ndër të tjera në këtë udhëzim përcaktohen subjektet të cilët nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë tatimore. Bizneset që përjashtohen nga ky detyrim janë: prodhuesit bujqësorë, të cilët janë subjekte të skemës së kompensimit në përputhje me ligjin e TVSH-së; tatimpaguesit që shesin bileta ose abone për transport pasagjerësh në sektorin e transportit publik urban, nëse kjo biletë ose abone i shitet pasagjerëve direkt nga drejtuesi i mjetit ose nga një person i autorizuar; personat fizikë të regjistruar në Administratën Tatimore si “ambulantë”. Më tej në udhëzim paraqiten disa rregulla të përgjithshme dhe të veçanta që tregojnë se fatura tatimore duhet të lëshohet; furnizimet e tij me mallra dhe shërbime që i janë dhënë një personi tjetër; çdo pagesë paraprake që merr përpara se të bëhen furnizimet e mallrave. “Çdo pagesë paraprake për shërbimet që merr; furnizimet e tij me mallra të eksportuara; furnizimet për individët – konsumatorë të fundit. Detyrim për lëshim fature vlejnë edhe për personat pa adresë të përhershme në Shqipëri, sipas ligjit të TVSH-së. Tatimpaguesi është i detyruar të lëshojë një faturë dhe ta fiskalizojë atë për përdorimin e mallrave që janë pjesë e pasurisë së biznesit, për qëllim privat të tij apo të stafit të tij, në qoftë se ka zbritur tërësisht apo pjesërisht TVSH-në duhet të ngarkojë TVSH-në në atë furnizim. Edhe në rastet kur shitësi bën marrëveshje me blerësin për faturën duhet ta kalojë atë në procesin e fiskalizimit”, thuhet në udhëzim.

Pagesat në dy kategori

Nëpërmjet udhëzimit, MFE lejon që pagesat e mallrave apo shërbimeve të marra të bëhen në dy kategori, që janë pagesa me para në dorë dhe pagesa pa para në dorë. Konkretisht pagesa me para në dorë mund të kryhen me: kartëmonedha dhe monedha; kartë krediti dhe debiti; çek; tollon vetëm për një qëllim përdorimi; kartat e parapaguara e tatimpaguesit. Ndërsa pagesa pa para në dorë bëhet nga: llogaria bankare e tatimpaguesit; faktoring; kompensimi; transferimi i të drejtave ose borxheve; heqja dorë nga borxhet; pagesa në natyrë (klering).

Esmeralda Hida

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here