Ja si Shqipëria u kthye në mollë sherri mes shteteve më të fuqishme të botës, rritja e ndikimit rus dhe përplasjet me Britaninë më 1946

0
345

Ndërkombëtarët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë Shqipërisë komuniste. Mediat e huaja kanë shkruar shumë shkrime në atë kohë dhe gazeta po publikon disa shkrime të bëra nga media të ndryshme, kryesisht britanike. Aty tregohen përplasjet e vitit 1946 mes ndërkombëtarëve për Shqipërinë.

4 prill 1946

Britania prishet me Shqipërinë

Burime të besueshme diplomatike thanë sot se Britania ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë për arsye të trajtimit të misionit të saj përfaqësues ushtarak atje. Informuesit thonë se Britania e ka njoftuar Shqipërinë se nuk do të këmbejë përfaqësues diplomatikë. Qëndrimi i Shqipërisë është përshkruar si jo-bashkëpunues, kryesisht për arsye të sjelljes së autoriteteve shqiptare ndaj misionit ushtarak britanik, i cili thuhet se ishte kufizuar të qëndronte vetëm në Tiranë nga autoritetet e Hoxhës. Tashmë grupi ushtarak është duke u tërhequr.

25 qershor 1946

Shqipëria mund t’i bashkohet Jugosllavisë

Gazeta bullgare Izgrev e partisë së kryeministrit Kimon Georgiev, publikoi sot një lajm nga Beogradi që thoshte se Shqipëria do të bëhet pjesë e Republikës së Jugosllavisë. “Pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje të rëndësishme ushtarake e ekonomike mes Shqipërisë e Jugosllavisë, e cila do të kryhet gjatë vizitës aktuale të kryeministrit shqiptar Enver Hoxha në Beograd”, thuhej në lajm.

28 qershor 1946

Tito paralajmëron OKB për Triesten

Shtatë luftanije britanike dhe amerikane janë ankoruar në gjirin e Triestes sot, teksa Tito ka paralajmëruar Kombet e Bashkuara të mos ndërhyjnë për pretendimet e Jugosllavisë për qytetin. Tito bëri deklaratën me anë të agjencisë së lajmeve Tanjug duke thënë se mendësia jugosllave ndaj Kombeve të Bashkuara do të pësojë ndryshime të mëdha nëse çështja e Triestes kalon në Asamblenë e OKB dhe votohet kundër Jugosllavisë. “Jugosllavia nuk do të pranojë gjysma vendimesh në disavantazh të saj dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta sovrane për Triesten”, tha Tito.

Sekretari amerikan i Shtetit James Byrnes tha se mund të lejojë Triesten dhe çështje të tjera të traktateve të paqes në Asamblenë e OKB, nëse katër fuqitë e mëdha nuk mund të vendosin vetë ose në Konferencën e Paqes së 21 vendeve. Ndërkohë Jugosllavia forcoi dje lidhjet ballkanike në jug me një akord miqësie me Shqipërinë. Kreu shqiptar Enver Hoxha tha se akordi ishte hartuar me sukses edhe pse nuk është firmosur ende. Hoxha e quajti miqësinë shqiptaro-jugosllave një faktor madhor paqeje në Ballkan. Ndërsa e quajti zjarrin e baterive bregdetare shqiptare ndaj luftanijeve britanike “një incident për të ardhur keq”. Ai tha se anijet britanike nuk kishin treguar flamurët e tyre dhe bateritë shqiptare kishin hapur zjarr duke besuar se ishin luftanije greke. Deklarata e Titos për Triesten përmbante gjithashtu dhe një sulm kundër kryeministrit italian De Gasperi për deklaratën se Italia nuk do të nënshkruajë një traktat që nuk e favorizon vendin. “Deklarata e De Gasperit tregon mungesë përgjegjësie dhe logjike. Një agresor nuk ka të drejtë të shprehet në atë mënyrë. Sulmet e fundit nga Parlamenti italian tregojnë sesa të butë janë treguar fuqitë e mëdha ndaj Romës, prandaj fryma e vjetër italiane për agresion ndaj Jugosllavisë po zhvillohet përsëri. Kjo është e rrezikshme për paqen dhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Tito në deklaratën e tij, duke shtuar se e gjithë bota demokratike pret që të riparohen padrejtësitë ndaj Jugosllavisë.

9 korrik 1946

Banditë të armatosur kalojnë kufirin nga Shqipëria në Greqi

Njëzet banditë të armatosur raportohet se kanë kaluar dje herët kufirin nga Shqipëria drejt Greqisë dhe i kanë thënë banorëve të fshatrave kufitare të marrin armët. Ata pretendonin se qeveria greke ka shkelur marrëveshjen e Varkizës, me të cilën u mbyll konflikti mes qeverisë dhe forcave të majta të rezistencës në fillim të vitit. Megjithëse ka pasur disa incidente mes autoriteteve dhe bandave komuniste në zonën e Maqedonisë greke, ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se regjimi i Hoxhës dhe ai i Titos në Jugosllavi po tregojnë armiqësi ndaj Greqisë. Akordi i miqësisë mes Shqipërisë e Jugosllavisë është shoqëruar me një marrëveshje ushtarake dhe kjo sigurisht që ka shkaktuar shqetësim, sepse nënkupton se veprim i përbashkët mund të merret ndaj Greqisë prej dy vendeve në rast të komplikimeve të çështjes së pretendimeve greke për Epirin e Veriut.

15 korrik 1946

OKB diskuton kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë

Kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim në OKB u depozitua sot në prag të afatit të fundit të pranimeve për takimet e shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme. Shqipëria sponsorizohet në avancimet e saj nga Jugosllavia ndërsa thellë në sfond qëndron Bashkimi Sovjetik, që mbështet aplikimin e kryeministrit shqiptar Enver Hoxha. Në qëndrim të vendosur kundër aplikimit shqiptar janë Britania, e cila nuk e njeh regjimin e Hoxhës. Mundësia e konfliktit mes Rusisë e Britanisë për këtë çështje bën që të jëtë një problem serioz për Këshillin e Sigurimit.

28 korrik 1946

Ndikimi rus

Shqipëria po kthehet në një shtet kukull të Rusisë, e cila gjatë gjashtë muajve të fundit po fortifikon ishullin e Sazanit në brigjet shqiptare të Adriatikut, si dhe gjirin e Vlorës dhe portin e Durrësit, sipas raportimeve të ndryshme. Inxhinierët rusë kanë thënë se jo vetëm Sazani, por dhe zonat rrethuese të Vlorës e Durrësit do të jenë të ndalura për qytetarët e thjeshtë, ku do të hyet vetëm me leje të posaçme. Vëzhguesit që ktheheshin nga Tirana këtë muaj e përshkruajnë vendin si një shtet 100 për qind komunist, ku është shkatërruar sipërmarrja private dhe po zhduket kleri fetar, reformat individuale nuk ekzistojnë dhe militarizmi është i kudondodhur. Prej fundit të vitit 1944 deri në qershor numri i personave të burgosur nga regjimi i dominuar nga Moska ka arritur në 10 deri në 15 mijë, me të paktën 3000 të vrarë ose të zhdukur, duke përfshirë dhe 12 anëtarë të klerit katolik vendas. Në një prej raportimeve thuhet se inxhinierët ushtarakë rusë po ndërtojnë rrugën nga Kukësi drejt Shkodrës dhe Peshkopisë pranë kufirit të Jugosllavisë. Me këtë rrugë trupat ushtarake që vijnë nga Jugosllavia mund të lëvizin me shpejtësi drejt kufirit me Greqinë pa përdorur rrugën bregdetare, ku do të ishin të ekspozuara ndaj bombardimeve në rast lufte. Raportimet nga Shqipëria përshkruajnë një nga pamjet më të errëta të terrorizmit në çdo vend ballkanik. Ato thonë se gjiri i Vlorës i jep BRSS një post shumë strategjik në detin Adriatik. Në Durrës rusët kanë fortifikuar kodrat rreth qytetit dhe personeli rus që llogaritet deri në 1000 vetë po drejton gërmimet e batalioneve shqiptare të punës. Bashkë me fortifikimet ata po forcojnë dhe ushtrinë shqiptare që arrin në 50 000 trupa dhe 12 000 oficerë, duke e pajisur me uniforma të reja, pushkë automatike dhe mjete të lehta e të mesme anti-tank e anti-ajrore. Grupe të vogla oficerësh rusë po vijnë vazhdimisht në Shqipëri dhe më pas me ta bashkohen dhe familjet e tyre. Në fillim të vitit autoritetet shqiptare urdhëruan zbrazjen brenda 48 orëve të zonës së kryeqytetit të quajtur “Tirana e Re” dhe shtëpitë që gjendeshin aty iu dhanë oficerëve rusë. Në Kamëz, në periferi të Tiranës u krijua një shkollë ushtarake ku komunistët e rinj më të dalluar gjatë luftës partizane marrin mësime ushtarake. Një numër oficerësh rusë janë vendosur në postet më kyçe të Ushtrisë Shqiptare me rolin e “këshilltarëve”.

31 korrik 1946

Vendi më pak i njohur i Europës bëhet kockë sherri për fuqitë e mëdha

Dikur në fund të shekullit të 18, historiani britanik Gibbon shkruante se “një vend që shihet prej Italisë është më pak i njohur për ne se shkretëtirat e Amerikës”. Sot 150 vjet më vonë toka e panjohur e Shqipërisë po del në lajme si një kockë sherri mes fuqive të mëdha. Gjashtë muaj më parë Shqipëria aplikoi për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Aplikimi u bë nga kryeministri Enver Hoxha me mbështetjen e Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik. Por Britania dhe SHBA kishin arsyet e tyre për të shtyrë çështjen dhe tashmë aplikimi varet nga Këshilli i Sigurimit.

Kundërshtari kryesor i aplikimit shqiptar është Greqia me pretendimet territoriale dhe akuzat se ka luftuar kundër Shqipërisë gjatë luftës pasi qeveria e saj ishte bashkuar me pushtuesit italianë e gjermanë. Meqenëse Britania e konsideron veten protektore të Greqisë ndërsa Bashkimi Sovjetik mbështet përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Ballkanike, çështja po kthehet në pikën kryesore të antagonizmit mes Londrës e Moskës, si dhe me SHBA që mbështet Britaninë dhe Greqinë. Çështja e anëtarësisë së Shqipërisë në OKB nuk është e vetmja arsye që vendi i vogël primitiv është në qendër të vëmendjes. Grekët sigurisht do të ngrenë diskutimin në Konferencën e Paqes në Paris dhe do të kërkojnë jugun e Shqipërisë. Kjo ndoshta do të mbështetet nga Britania e do të kundërshtohet nga Rusia e Jugosllavia, në një çështje që për nga rrethanat duket e ngjashme me situatën e pretendimeve në Trieste dhe Venezia Giulia. Shqipëria është vendi më i varfër e më i prapambetur në Europë. Dy të tretat e territorit të saj janë male e kodra të pakultivueshme ndërsa aktualisht vetëm 10 për qind e sipërfaqes është e kultivuar. Por ka tre arsye pse Shqipëria po kthehet në mollë sherri mes fuqive të mëdha, pozita e saj strategjike, potenciali ekonomik dhe përzierja etnike e popullatës së saj. Kushdo që kontrollon Shqipërinë mund të “mbyllë” detin Adriatik teksa përdorimi i kalimeve të Triestes dhe të bazës detare në Pola të Istrias varen nga kontrolli i Vlorës. Prandaj dhe Italia mori kontrollin e Shqipërisë që në vitet 1920-të dhe më pas Musolini e pushtoi më 7 prill 1939. Nëse grekëve u jepet Epiri i Veriut në Konferencën e Paqes, Britania do të kërkojë të kontrollojë Adriatikun si protektore e tyre dhe Rusisë do t’i mohohet hyrja në Mesdhe me anë të porteve në Adriatik të aleatit të saj Jugosllavia. Shqipëria ka një tjetër vlerë pasi është një gjemb në këmbën e Jugosllavisë teksa dhe pushtimi i vendit nga Musolini me të drejtë konsiderohej nga Beogradi si një kërcënim për sigurinë e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here