Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hequr pezullimin e seancave gjyqësore në zonat e prekura nga tërmeti. Pak ditë më parë KLGJ doli me një vendim duke ndalur seancat për shkak se godinat kanë pasur dëmtime. Por dje përmes një vendimi është vendosur që të rinisë puna sot në: Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë (Dhoma penale e civile); Gjykatën e Apelit Tiranë; Gjykatën Administrative të Shkallës së Partë Tiranë; Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda; Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda; Gjykatën e Durrësit; Gjykatën e Krujës; Gjykatën e Kavajës dhe Gjykatën e Kurbinit. Bllokimi i seancave shkaktoi shumë probleme për qindra qytetarë që janë në procese gjyqësore dhe kjo ka bërë që të mos ketë më asnjë vonesë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Lëkundjet e tërmeteve janë eliminuar dhe kjo ka bërë që të rikthehet normaliteti. Megjithatë forcat e IKMT dhe policisë kanë zbritur në terren. Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar mbi 800 punonjës policie. Menjëherë pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit, strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës u angazhuan për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe në mbështetje të gjithë institucioneve në bashkërendim të plotë me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile me qendër në Durrës. Pas punës në terren të ditëve të para për misionet e kërkim-shpëtimit, strukturat e policisë kanë siguruar rendin në parametra normalë në të gjithë qarkun dhe monitorojnë terrenin për parandalimin e çdo lloj ngjarjeje me tendencë ndaj jetës, pronës dhe lirive të qytetarëve. Aktualisht, nga punonjësit e policisë të DVP Durrës janë marrë në ruajtje objektet e mëposhtme: 18 pallate të dëmtuara dhe që nuk banon njeri; 3 objekte ku janë vendosur ndihmat; 3 hotele të dëmtuara dhe të pabanuara; 4 qendrat e akomodimit në hotele. Situata e vështirë është dhe në disa qytete të tjera, përfshirë dhe kryeqytetin. Disa banesa kanë dalë jashtë përdorimit dhe do të prishen.