Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit ka shkatërruar jo vetëm pallate e banesa, por ka dëmtuar edhe disa shkolla. Mes tyre është edhe shkolla “Emin Duraku”, në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë.
Shkolla përbëhet nga dy godina, fillorja dhe 9-vjeçarja, të cilat janë shkëputur nga tërmeti katastrofik. Dëmtime ka pësuar vetëm godina e fillores, e cila është shtuar në vitin 2006, si pasojë e rritjes së kapacitetit të nxënësve.
Në procesverbalin e Institutit të Ndërtimit thuhet se shkolla ka dëmtime në struktura, ndaj dhe duhet pezulluar aktiviteti, deri kur të bëhen përforcimet e nevojshme.
“Shkolla Emin Duraku, ka sistem konstruktiv me mure mbajtëse, tra dhe kolonë. Shkolla ka plasaritje të thella në muret ndarëse, dëmtim i traut të katit të tretë shtesë. Plasaritje të thella të suvasë në katin e tretë shtesë, dëmtim i parapetit në të gjithë godinën, shkëputje të shtesës nga objekti ekzistues. Bordi dhe shkolla kërkojnë shkallë emergjence. Shkolla ka dëmtime në strukturë, të pezullohet aktiviteti deri kur të bëhen përforcimet e nevojshme”, thuhet në procesverbalin e institutit të ndërtimit.