Deputeti i PS-së, Spartak Braho në një reagim pas largimit të Agron Tufës, drejtorit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, që ka kërkuar strehim politik në Zvicër, pas kërcënimeve me jetë që sikundër deklaroi, ka marrë ai vetë dhe familja e tij, thotë se kjo ikje është e turpshme dhe nuk ka asnjë lidhje me motivet politike.
Në reagimin e tij për gazetën DITA, Braho shkruan se “Ai iku si një njeri ordiner, si një hajdut e mashtrues i neveritshëm. Tufa iku i ngopur me lekët e shtetit e të Kuvendit tek të parët e tij që ikën si minjtë në vitin 1944”.
Madje sipas Brahos, “Kryeministri Edi Rama me Gramoz Ruçin kanë një përgjegjësi të rëndë. Ata bënë sehir dhe nuk çuan as auditin ta kontrollonte e ta kontrollojnë gjithë veprimtarinë e këtij palo instituti. Kurse ne kemi 6 muaj që bredhim gjyqeve për të mbrojtur luftën dhe dëshmorët e saj”.
Nga Spartak Braho/ Ikja e Agron Tufës është e turpshme dhe e shëmtuar nga që ta shikosh. Ajo nuk është ikje për motive politike. Ai iku si një njeri ordiner, si një hajdut e mashtrues i neveritshëm. Kemi një vit që merremi me bëmat e ndyra të këtij njeriu, me sulmet e paprincipta kundër Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve të saj, me vjedhjet e tij në institucionin që drejtonte, për abuzimet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, me plagjiaturën e tij në universitet.
Indiferenca e shtetit në këtë rast, e universitetit, ministrisë së Arsimit dhe sidomos e organeve të drejtësisë është e pafalshme. Tufa nuk duhej lejuar të ikte, ai duhej të ulej në bankën e të akuzuarve dhe të jepte llogari e të dënohej për të gjitha dëmet që ka bërë.
Tufa iku si ballistët e tij të dashur dikur. Plot 75 vjet më parë kriminelët e luftës të Ballit të Mit’hatit dhe kolaboracionistët, pasi kishin kryer krime të përbindshme, kishin vrarë dhe plaçkitur sa deshën, i mbathën mbathën nga sytë këmbët në fundin e nëntorit dhe fillimin e dhjetorit 1944 jashtë vendit. 75 vjet më pas Tufa ndoqi këtë shembull, që me sa duket e ka bluar gjatë në mendje. Ai e kishte gati precedentin dhe skenarin dhe e ndoqi me përpikmëri atë skenar.
Tufa iku i ngopur me lekët e shtetit e të Kuvendit tek të parët e tij që ikën si minjtë në vitin 1944.
Kryeministri Edi Rama me Gramoz Ruçin kanë një përgjegjësi të rëndë. Ata bënë sehir dhe nuk çuan as auditin ta kontrollonte e ta kontrollojnë gjithë veprimtarinë e këtij palo instituti. Kurse ne kemi 6 muaj që bredhim gjyqeve për të mbrojtur luftën dhe dëshmorët e saj.
Mendoj se indiferenca e Ramës dhe Ruçit kanë inkurajuar aktet e mbrapshta të Tufës. Tufa livadhiste dhe mendoi se ishte koha e tij. Dikush ia bënte me sy që t’ia mbathte dhe ai nuk ngurroi. Por i duhej një argument që të konsiderohej i përndjekur politik. Gjithë zhurma e tij mediatike vitin e fundit këtë synim ka pasur. Ai ia mbathi pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, pavarësisht se zullumet e tij nuk kanë të sosur.
Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia e qeverisë dhe e shtetit tonë: që lejuan të ikë ky person pa u ndëshkuar për hajdutllëqet e tij. Që mos të mburret andej nga ka shkuar se u largua për motive politike. Unë i pari, por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do ta denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore. Të mos pandehë Tufa se e hodhi pa u lagur.
Ai iku për t’iu shmangur drejtësisë si Mitat Frasheri e co. në vitin ’44. Kjo është e qartë dhe një e vërtetë që nuk e luan as topi.
Kush e mbrojti Tufën dhe që ai me qetësinë më të madhe t’ia mbathte? Shumë hamendësime mund të bëhen, por unë mendoj se fajin ne na i kanë ballistët me maska socialiste si Rama e kompani. Kur kolaboracionizmi në tërë historinë e tij kur nuk është rehabilituar askund, si mund ta gjykojmë dhe për më tepër ta vlerësojmë aktin e shëmtuar që bëri vitin e kaluar kur rehabilitoi kryekolaboracionistin? Tufa e kishte kuptuar dhe mori yrysh, milionat nga qeveria nuk i munguan asnjëherë dhe prej tyre me siguri ka marrë me vete andej nga ka shkuar. Për mbushjen e valixheve në ditën e ikjes ai kishte shembullin e Ahmet Zogut.
Ju mund të thoni pse jam kaq i zemëruar me Ramën. Si mund të mos jem i zemëruar kur siç ua kam thënë dhe herë tjetër më përpara: Është ai mbrojtësi kryesor i kolaboracionistëve. Rama ka 5 muaj qe ka bllokuar Kuvendin për ndryshimin e ligjit të Institutit që kam propozuar unë e disa deputetë të tjerë që e ndalon institutin e Tufës të merret me periudhën e luftës ‘39-‘44. Kulmi!