Të parët që janë solidarizuar me të prekurit nga tërmeti shkatërrimtar që goditi dje vendin tonë kanë qenë shqiptarët e Kosovës, të cilët jo vetëm që hapën dyert e shtëpive dhe banesave për të mirëpritur vëllezërit dhe motrat e tyre, por u dyndën drejt vendit tonë për të sjellë ndihma ushqimore dhe jo vetëm.
Një zonjë nga Peja, e cila vuante nga kanceri, ka emocionuar jo pak teksa ka telefonuar në një emision televiziv në Kosovë, ku po flitej për tërmetin që gjunjëzoi Shqipërinë.
Mes lotëve, Gjyljeta u shpreh:
”Unë jam e sëmurë nga kanceri. Dëshiroj t’i dhuroj 50 euro.”
Këto fjalë të saj dhe ky gjest human kanë prekur të pranishmit në studion televizive, të cilët shpërthyen në lot.