Publikohet rrëfimi i kolonelit Ahmet Mehmeti, ish-ushtarak i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes në vitet ’70-të, lidhur me ndërtimin e katër vilave sekrete në periferi të Skraparit, ku do banonin në raste gjendjesh të jashtëzakonëshme, Enveri, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Beqir Balluku Si u ndërtuan ato bashkë me tunelet e fshehta të thesarit dhe të vendkomandës së përgjithshme dhe cilët ishin ushtarakët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes që u ngarkuan për ndjekjen e punimeve të tyre. Vlersimi që iu bëri Mehmet Shehu ditën e inagurimit….!?
Pas marrjes së vendimeve nga ana e Këshillit të Mbrojtjes, për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, të cilët, gjithashtu, ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; nga kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit. Pasi na u komunikua detyra, nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin, apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheheshin objektet strategjike tepër sekrete, që asokohe konsideroheshin të një rëndësie të veçantë”. Kështu e kujtonte Ahmet Mehmeti, ish-ushtarak i lartë pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, atë kohë në fillimin e viteve ’60, kur u ngarkua si oficer drejtimi për të ndjekur zbatimin e disa objekteve tepër sekrete që do të ndërtoheshin në rrethin e Skraparit. Po cilat ishin ato objekte, pse u vendos ndërtimi i tyre në rrethin e Skraparit dhe si u vlerësuan ato, pas përfundimit të punimeve, nga Mehmet Shehu, që shkoi vetë për inaugurimin e tyre? Për të gjitha këto, na njeh dëshmia ekskluzive për Memorie.al e kolonelit Ahmet Mehmeti, i cili në mesin e viteve ’70-të u largua si i padëshirueshëm nga Ministria e Mbrojtjes.
Zoti Ahmet, kur lindi për herë të parë ideja e ndërtimit të tuneleve të fshehta të ushtrisë dhe konkretisht atyre të Skaraparit, të cilat pas viteve ’90 janë përfolur shumë edhe në media?
Për herë të parë ideja për tunelizimin masiv të vendit u hodh në fillimin e viteve ‘60, pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, por duhet thënë se edhe më parë ushtria kishte ndërtuar tunele për nevojat e mbrojtjes së vendit. Në atë kohë, më saktë diku aty nga viti 1961, Këshilli i Mbrojtjes vendosi që të zhvillonte aktivin e zgjeruar të Ushtrisë, i cili si temë kryesore do të kishte problemet e mbrojtjes së vendit, apo thënë ndryshe rishikimin e atyre problemeve të cilat ishin të kushtëzuara me situatën në të cilën ndodhej vendi ynë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Kjo gjë u vendos parimisht në atë aktiv, pasi për zbatimin e saj do merreshin strukturat e degëve përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes, ku njëri nga kuadrot që u caktua për Jugun isha dhe unë.
Çfarë masash u morën për Jugun e vendit, ku u caktuat dhe ju?
Në vendimet që u morën nga Këshilli i Mbrojtjes, i kryesuar nga Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm, Jugu u nda në dy drejtime strategjike. Drejtimi i parë ishte ai i zonës Elbasan-Korçë, i cili përfshinte dhe rrethet e Librazhdit, Pogradecit, Gramshit, Skraparit e Kolonjës. Në këtë drejtim strategjik unë u ngarkova me detyrën e oficerit të drejtimit. Ndërsa drejtimi i dytë strategjik, ku si oficer drejtimi i caktua Kristaq Qarri, përfshinte territoret e rretheve Ballsh, Berat, Përmet, Tepelenë, Sarandë dhe Gjirokastër. Po kështu u vendos që vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, për kohë lufte, të ndërtohej në rrethin e Skraparit, pasi në rastin e ndonjë agresioni të mundshëm, që do të na vinte nga Greqia, që nga Skrapari do të drejtoheheshin e komandoheshin të gjitha njësitë e ushtrisë sonë, që ishin instaluar në Jugun e vendit.
Vetëm për këtë gjë u vendos ndërtimi i vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në Skrapar?
Ndërtimi i vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në rrethin e Skraparit kishte dhe një qëllim tjetër: Nëqoftëse do të pushtohej pjesërisht territori i vendit dhe do të kalohej në mbrojtjen e manovruar të shkallës së dytë, ashtu si dhe gjatë Luftës, Skrapari do të përbënte zonën nevralgjike nga ku do të drejtohej e udhëhiqej lufta kundër armikut pushtues. Për këtë arsye u vendos që në rrethin e Skraparit të ndërtoheshin edhe disa objekte të tjera, si katër vilat, në të cilat do të vendoseshin drejtuesit kryesorë të Këshillit të Mbrojtjes, bashkë me familjet e tyre: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Beqir Balluku. Pra, në rast lufte ata do të transferoheshin nga Tirana në Skrapar dhe do të vendoseshin në ato vila për të marrë në dorë drejtimin e shtetit.
Përveç vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm dhe vilave të udhëheqjes, cilat ishin objektet e tjera që thatë se do të ndërtoheshin në Skrapar?
Ndër objektet e tjera, që Këshilli i Mbrojtjes vendosi të ndërtoheshin në Skrapar, ishte dhe ai i thesarit të shtetit, i cili, po ashtu si vilat e udhëheqjes dhe vendkomandës së Shtabit, ishte një objekt tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë. Për ndërtimin e tunelit të thesarit të shtetit, nga ana e kryeministrit Mehmet Shehu u përcaktuan edhe të gjitha detyrat përkatëse, se si në rast lufte do të evadohej thesari nga Banka e Shtetit në Tiranë, për në tunelin e Skraparit e deri tek helikopteri që do të ulej në taracën e Bankës në Tiranë, për të marrë arkat me flori.
Pas marrjes së këtyre vendimeve, kush ishin personat që u ngarkuan për zbatimin e tyre?
Për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Ballukum dhe Shefi i Shtabit, Petrit Dume, të cilët gjithashtu ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë (Ahmet Hasan Mehmetaj) e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit. Pasi na u komunikua detyra nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheheshin objektet strategjike tepër sekrete, që atëherë konsideroheshin të një rëndësie të veçantë.
Ku u piketua ndërtimi i këtyre objekteve sekrete dhe çfarë masash u morën për ndërtimin e tyre?
Për ndërtimin e vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm u caktua Qafa e Devrisë, ndërsa për vilat e udhëheqjes dhe tunelin e thesarit të shtetit u vendos që ato të ndërtoheshin në periferi të qytetit të Çorovodës, në vendin e quajtur Guak. Pas piketimit të objekteve përkatëse, u morën dhe një sërë masash për ndërtimin e tyre. Një nga gjërat e para që u bë ishte rikonstruksioni i pjesshëm i rrugës nacionale Berat-Skrapar, i cili vazhdoi deri në fshatin Malind, si dhe u hapën edhe tri rrugë të tjera, që në gjuhën ushtarake quhen rrugë taktike për manovrim forcash, të cilat e lidhnin Skraparin me rrethet fqinje. Një nga ato rrugë kalonte nëpër fshatin Gjerbës dhe prej andej dilte në fshatin Maliq të Korçës. Ndërtimi i këtyre rrugëve iu caktua regjimentit të Xhenjos, ndërsa për ndërtimin e tre objekteve të tjera që thashë më lart (vendkomandës së Shtabit, katër vilave të udhëheqjes së lartë dhe tunelit të thesarit të shtetit) u vunë në dispozicion shumë inxhinierë e specialistë të aftë. Përveç meje që isha caktuar oficer drejtimi dhe shkoja shpesh herë për të parë ato objekte, gjatë ndërtimit të tyre vinin për inspektim edhe drejtuesit më të lartë të shtetit e të ushtrisë, si Mehmet Shehu, Beqir Balluku etj. Vetëm Enver Hoxha nuk erdhi asnjëherë për t’i parë ato gjatë ndërtimit. Pasi i mbaruam së ndërtuari ato, Mehmet Shehu, i cili erdhi vetë për t’i parë, së bashku me një grup të madh drejtuesish të lartë të shtetit dhe Ushtrisë, na falënderoi për punën e bërë e na tha se së shpejti si ato objekte do të ndërtonim në zonën verilindore të vendit.
A u ndërtuan dhe në verilindje të tilla objekte?
Pas mbarimit të këtyre objektev në Skrapar, ashtu siç ishim me grupet e punës, Mehmeti na mori të gjithëve dhe bashkë me të shkuam në verilindje të vendit, në zonën e malit të Munellës, në rrethin e Pukës. Bashkë me ne, Mehmeti mori me vete edhe të gjithë komandantët e të gjitha njësive të veriut të Shqipërisë. Aty qëndruam për disa ditë dhe bëmë rikonicionet përkatëse për ndërtimin e objektit të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm, i cili do merrte drejtimin e shtetit, në rast se vendi ynë do të kërcënohej nga ndonjë agresion ushtarak nga veriu. Por ai objekt mbeti vetëm në fazën e rikonicionit dhe nuk u ndërtua kurrë, për rrjedhën e ngjarjeve që pasuan më vonë.