Hoze Murinjo dha dje konferencën e parë për gazetarët si trajner i Totenhemit. Përpara mediave angleze, ai është shfaqur i motivuar për detyrën e re, duke vlerësuar potencialin e ekipit të tij. Murinjo shprehu bindjen se do të bëjë gjithçka që skuadra të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet pasi beson te aftësitë e lojtarëve, madje është aq i kënaqur me grupin që ka në dispozicion saqë nuk do të donte asnjë përforcim në merkato. “Jam shumë i lumtur që jam këtu. Çdo klub që ndërron trajnerin gjatë sezonit, do të thotë se ka vështirësi. Por, potenciali i kësaj skuadre është i jashtëzakonshëm, ashtu edhe si i lojtarëve që janë një nga arsyet pse bëra këtë zgjedhje. Nuk ndryshohen gjërat në dy ditë. Nuk kam shumë eksperiencë duke i marrë ekipet në drejtim gjatë sezonit, më ka ndodhur vetëm me Porton në vitin 2001. Këto 11 muaj pushim kanë shërbyer për të reflektuar, analizuar dhe përgatitur. Por nuk e humbet kurrë ADN dhe identitetin. Kam kuptuar se gjatë karrierës sime kam bërë gabime që nuk do t’i ribëja. Jam më i fortë, i relaksuar dhe i motivuar. Dua të influencoj te lojtarët e mi që të jenë të nervozuar pas një fitore të munguar. Pasi nëse je i lumtur pasi ke humbur një ndeshje, është e vështirë të jesh një fitimtar. Përforcime në skuadër? E vetmja gjë që dua është të ruaj këtë grup futbollistësh, pasi të gjithë janë lojtarë me cilësi të mëdha”.
Herri Kejn nuk largohet
Shtypi i shkruar në Angli dhe më konkretisht dy gazetat prestigjioze “Daily Telegraph” dhe “Daily Express” zbulojnë një prapaskenë interesante rreth firmës së Hoze Murinjos me Totenhem. Përpara se të pranonte të bëhej trajneri i ri i gjelave të Londrës “Special One” i ka kërkuar presidentit Daniel Levi të mbajë në skuadër sulmuesin Herri Kejn dhe të refuzojë çdo ofertë që mund të vijë në merkaton e verës në drejtim të bomberit të kombëtares angleze. Kane është në qendër të projektit të Murinjos i cili ka firmosur për 3 vite e gjysmë me Spurs-at. Edhe pse kërkohet nga Reali i Madridit, portugezi ka marrë premtimin se gjigandi i sulmit do të qëndrojë në skuadër edhe për vitet në vazhdim.
Poçetino drejt Gjermanisë, Bajerni ka nevojë për trajner
Totenhemi vendosi të ndërpriste marrëveshjen me trajnerin Mauricio Poçetino, për shkak të rezultateve të dobëta. Edhe pse tekniku argjentinas e çoi klubin deri në finalen e Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar, sërish starti i keq në Premier League ishte vendimtar. Tashmë, 47-vjeçari është në kërkim të aventurës së radhës, teksa nga Gjermania njoftojnë se një përfaqësues i trajnerit ka pasur kontakt me drejtues të Bajern Mynih. Konkretisht me drejtorin sportin Hasan Salihamixhiç. Bavarezët shpresojnë t’i konkretizojnë pozitivisht bisedimet teksa besojnë në aftësitë e Poçetinos. Rekordmenët gjermanë aktualisht janë në drejtimin e Hansi Flik, pas shkarkimit të Niko Kovaç.
Adriatik BALLA