Presidenti Ilir Meta ka publikuar në faqen e presidencës kallëzimin penal ndaj Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Ai kërkon nga organi i akuzës që të sekuestrojë pa humbur kohë, pasi thotë se mund të dëmtohen apo manipulohen, kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Nga këto regjistrime audio, kreu i shtetit paralajmëron se “do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallzim’.
“Presidenti i Republikës, i rekomandon organit të akuzës, të sekuestrojë mënjëherë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, prej të cilave do të zbulohen edhe fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallzim. Me prioritet në punën tuaj është sekuestrimi i procesverbaleve audio të datave 21 shtator 2019 dhe 9 nëntor 2018 për të evituar dëmtimin apo manipulimin e tyre të qëllimshëm”, thuhet në kallëzimin e Metës.