Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shpërtheu ditën e djeshme në sulme dhe akuza të forta në drejtim të kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Gjatë një konference për shtyp nga Presidenca, Meta akuzoi drejtpërdrejt Dvoranin se nuk ndoqi rrugën e duhur për dërgimin e listave me emra, duke tentuar një skemë mafioze për të nxjerrë keq presidentin. Kreu i shtetit theksoi se mosndjekja e radhës në përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses nga KED është absurde, duke shtuar se askush nuk mund ti vendosë kushte. “Është detyra e KED të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe të afateve, që të respektohet Kushtetuta, të respektohet ligji, dhe të mos kemi përplasje mes institucioneve. Nuk është e kundërta, që KED, që është institucion kolegjial, apo akoma më keq, kryetari i KED, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat, në mënyrë të tillë tepër të dyshimtë, madje mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë, që o të shkelë detyrimisht Kushtetutën, që thotë qartë se presidenti plotëson vakancën e parë dhe parlamenti të dytën, ose me interpretime qesharake dhe absurde thotë se i ka mbaruar afati presidentit, kjo është absurde, e turpshme, mafioze”, tha Meta. Kreu i shtetit vijoi më tej me sulmet ndaj Dvoranit, duke e cilësuar këtë të fundit si ushtar të partisë në pushtet. “Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë. Nuk ka ndodhur kjo situatë prej vetingut, por se në krye të KED erdhi një ushtarë i verbër i partisë. KED e parë u bllokua se nuk iu pëlqyen emrat, pastaj u vendos një ushtar i partisë, që vë në pozitë Presidentin, që ose të shkelë Kushtetutën me pahir, ose me lojëra të tillë të turpshme, që as ca fëmijë rrugeçër nuk i bëjnë. Kjo është e vërteta”, deklaroi Meta.
Meta sulmon ndërkombëtarët
Por sulmeve dhe akuzave të presidentit nuk i shpëtuan as ndërkombëtarët, duke i quajtur ata të korruptuar për të dalë në mbrojtje të mazhorancës. Sipas Metës, mbyllja e Gjykatës Kushtetuese ishte e qëllimshme. “Të ndërtosh një proces me kaq shumë probleme dhe të përpiqesh ta banalizosh me histori të tilla, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndërtimin e Gjykatës Kushtetuese, që s’duhet të kishte qenë e mbyllur asnjë ditë, dhe kjo ka ndodhur qëllimisht, ua kam thënë njëmijë herë, edhe diplomatëve të korruptuar. U kam thënë se ne kemi bërë një marrëveshje, kur kemi vendosur që Gjykata Kushtetuese të kalonte në veting, se ajo nuk do ngelej asnjë ditë e mbyllur”, tha Meta.
Afatet e presidentit
Më tej, kreu i shtetit deklaroi se Kushtetuta nuk përcakton afate për presidentin, por vetëm për Parlamentin, i cili sipas tij, është një institucion kolegjial dhe përbëhet nga forca të ndryshme politike. “Nuk ka një afat të caktuar kushtetues për Presidentin e Republikës, ka afat për Parlamentin, pasi është institucion kolegjial, që përbëhet nga forca të ndryshme politike. Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta është zero pa Gjykatën Kushtetuese dhe ne kemi gati dy vjet pa të. Momenti i krijimit të Gjykatës Kushtetuese është histori, sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës që u bë në Kushtetutë për reformën në drejtësi. Është tepër e rëndësishme të respektohet Kushtetuta, aq më tepër për këtë gjykatë, pasi është garancia për mbrojtjen e Kushtetutës dhe çdo qytetari të Shqipërisë. Duhet të keni të qartë se KED është një institucion që merret vetëm me organizmin administrativ për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta sot është zero, ka rënë, ndaj bëj si të dua tani”, u shpreh Meta. Por ndonëse presidenti deklaroi se nuk është në shkelje të Kushtetutës, ai është në shkelje të hapur të ligjit. Në nenin 7/b të ligjit për Gjykatën Kushtetuese është e përcaktuar qartë se presidenti duhet ti përmbahet afatit 30 ditor për të zgjedhur anëtarët e Kushtetueses. Pra, dukë qenë se kreu i shtetit e zgjodhi Marsida Xhaferllarin jashtë këtij afati, ai është në shkelje të hapur të ligjit.
Elisjeda Kiko








































