Komisioni i Pavarur i Kualifkimit zhvilloi për herë të dytë seancën dëgjimore për gjyqtaren e Apelit të Gjykatës së Shkodrës, Hajrie Muçmata. Relatorja e trupës së Komisionit gjatë relacionit tha se nga analiza financiare rezultonte se gjyqtarja kishte mungesë burimesh të ligjshme në disa vite, në total 4.7 milion lekë. Referuar ILDKPKI, relatorja tha se janë konstatuar probleme në deklarimin e pasurisë dhe e akuzon subjektin për fshehje pasurie. Këtë konstatim, Muçmata e kundërshtoi duke pretenduar se ILDKPKI e kishte kontrolluar më herët dhe kurrë nuk i kishte vënë në dukje probleme. Gjyqtarja mohoi akuzat për fshehje pasurie, duke thënë se kishte bërë deklarime të sakta. Relatorja tha se gjatë hetimit, Komisioni kishte gjetur një kontratë mes bashkëshortit të saj dhe një kompanie ndërtimi me shënime të bëra me dorë, që ngrinin dyshime mbi sipërfaqen dhe çmimin e një apartamenti 117 metra katrorë në Tiranë. Gjithashtu një tjetër problem u konstatua në mungesën e dokumenteve justifikuese për huatë. Relatorja tha se mungonin dokumentet për të provuar pagesat dhe kohën kur ato ishin bërë dhe se dukej që Muçmata kishte bërë deklarim të rremë në veting, kur kishte deklaruar burimin për këtë pasuri vetëm me kursimet nga paga. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë, Muçmata diskutoi me vëzhguesin ndërkombëtar, Theo Jacobs. Ky i fundit i cilësoi të pakuptueshme disa deklarime të gjyqtares që kishte kundërshtuar veten me qëndrimet mbi një marrëdhënie huaje dhe qëllimin e një kredie. Subjekti i rivlerësimit pretendoi se ajo nuk kishte pasur detyrim deklarimin e kësaj kontrate huaje, ndërsa tha se mohimi i saj kishte të bënte me faktin se kontrata ishte nënshkruar nga bashkëshorti dhe jo ajo vetë. Subjekti i rivlerësimit në seancën e parë, kundërshtoi mbylljen e hetimit nga ana e Komisionit vetëm me kriterin e pasurisë, duke kërkuar riçeljen e hetimit për kriterin e figurës dhe aftësitë profesionale. Por Muçmata nuk kishte vetëm këtë kërkesë, duke kërkuar më tej përjashtimin e trupës gjykuese. Kërkesat e subjektit u rrëzuan. Gjyqtarja Hajrie Muçmataj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999, si gjyqtare në Gjykatën e Kukësit.







































