Redjan Rraja, 34-vjeç, është i arrestuari i parë për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, ndodhur të premten e 1 Nëntorit.
Ka dyshime të arsyeshme se Rraja është përfshirë në atentatin e Shkozetit, ku mbetën të plagosur Arjan Ndoji, prokuror i Durrësit, Landi Muharremi, i njohur si “i forti i Sukthit” dhe Andi Maloku, ky i fundit shofer i mjetit.
Por Redjan Rraja nuk është një emër i panjohur për autoritetet dhe publikun.
Emri i Redjan Rrajës shfaqet në çështjen “Xhisiela”, ku i përfshirë ishte kushëriri i tij, Rexhep Rraja. Ky i fundit është djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.
Oficeri Emiljano Nuhu përmendi emrin e Redjan Rrajës si një prej nipërve të deputetit Rraja që e kishte kërcënuar për shkak të hetimeve që po kryente pas denoncimit të shtetases Xhisiela Maloku. Xhisiela akuzonte djalin e deputetit se dhunonte vazhdimisht, ndërkohë që ajo kërkonte t’i jepte fund lidhjes. Kjo ngjarje më pas u mbyll me tërheqjen e Xhisielës nga denoncimet dhe largimin nga Shqipëria të oficerit Nuhu.
Ai ka qenë i dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale të “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, në lidhje me vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço. Ngjarja ka ndodhur më 1 maj të 2016-s, në një lokal në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Rraja u akuzua se kishte fshehur armën që mbante viktima Çiço, si dhe telefonin, për të fshehur informacione të tjera.
Ai ka klinikë dentare në qendër të Fushë Krujës, ndërsa jetonte mes Shqipërisë dhe Kanadasë.









































