Java që lamë pas ishte nga më polemizueset në kampionatin italian. Një gol i De Ligt i dyshuar me dorë, dhënie e mosdhënie faullesh, kartonë pa logjikë dhe padyshim zhgënjimi i Napolit nga arbitrat dhe sistemi VAR. Në fakt, Napoli po kalon një moment të errët në kampionatin italian dhe në tre takimet e fundit ka arritur të marrë vetëm dy pikë, duke shkuar në 11 pikë larg Juventusit kryesues, por edhe jashtë zonës Champions që për momentin u takon skuadrave kryeqytetase. Nuk mund të jetë i qetë në këtë situatë presidenti i të kaltërve, Aurelio De Laurentis, që ka urdhëruar grumbullimin e skuadrës në qendrën stërvitore deri në përfundim të ndeshjes me Xhenoan këtë fundjavë. “Napoli do të jetë në grumbullim deri të dielën. Nuk është një masë ndëshkuese, por një masë konstruktive, që do të bëjë që lojtarët të njihen më mirë me njëri-tjetrin e të miqësohen. Nuk më shqetësojnë 18 pikët në renditje, pasi Ançeloti është një trajner i madh dhe do të dijë të na nxjerrë nga kjo situatë, por duhet të përmirësojmë më shumë lojën në grup”, deklaroi presidenti De Laurentis për “Radio Kiss Kiss Napoli”. Nuk kanë munguar polemikat as në lidhje me gjykimin, teksa pas ndeshjes me Atalantën, ku Napolit i shpëtoi 3-pikëshi vetëm në minutat e fundit dhe pas një penalltie të padhënë, në Romë të kaltrit u ndëshkuan me dy 11-metërsha të tjerë. “Unë mendoj se problemi i arbitrimit është serioz dhe kompleks, ndaj ka ardhur koha për një propozim të pastër. Duhet të marrim arbitra të huaj dhe të mirë-paguar, të cilët do të gjobiten pas çdo gabimi dhe nëse gabojnë 3 herë, atëherë do të përjashtohen”, deklaroi bosi napolitan. Presidenti De Laurentis shkoi edhe më tej me propozimet e tij, teksa tha se do të ishte mirë që t’u lejohej trajnerëve të skuadrave të kërkonin dy herë në ndeshje, përdorimin e pamjeve që ofron VAR-i, ndërsa ngriti shqetësimin pse nuk ekzistojnë ndëshkimet për arbitrat. “Shumë njerëz më pyesin pse nuk ka kartonë të verdhë dhe të kuq edhe për arbitrat, të cilët duhet të ndëshkohen kur gabojnë. Unë nuk e kuptoj kokëfortësinë e tyre për të mos përdorur VAR-in, që është aplikuar për t’u ardhur në ndihmë. Nuk shkakton asnjë problem, nëse trajnerëve përkatës u lejohet që të kërkojnë dy herë për ndeshje përdorimin e VAR-it, pasi kështu si po veprohet tani, humbim më shumë kohë”, përfundoi De Laurentis. Ndërkohë, Sulmuesi i krahut, Hoze Kallejon pritet të largohet nga skuadra e Napolit gjatë afatit kalimtar të janarit për të vazhduar karrierën në Kinë, te Dalian Yifang ka shkruar të hënën sajti “Calciomercato”. Bëhet e ditur se Kallejon tashmë ka refuzuar ofertën për rinovimin e kontratës me Napolin që i skadon në fund të këtij edicioni dhe për këtë arsye do të transferohet në Kinë. Dalian Yifang që drejtohet nga ish-trajneri i Napolit, Rafael Benitez është i gatshëm të paguajë dëmshpërblim deri në dhjetë milionë euro për Kallejonin. 32-vjeçari, është pjesë e Napolit prej vitit 2013 kurse këtë edicion ka një gol e gjashtë asistime në 14 paraqitje në të gjitha garat.
Adriatik BALLA








































