“Arena Kombëtare” ka përfunduar së ndërtuari dhe është gati të presë ndeshjet e mëdha ndërkombëtare. Është investimi më i madh i Shqipërisë në infrastrukturën sportive pas vitit 1990 dhe në krejt historinë e futbollit shqiptar. Një impiant ultramodern, por që në prag të inaugurimit të tij i shfaqen problemet e para. Kemi të bëjmë me një raport ende të pazyrtarizuar të UEFA-s që i ka nxjerrë disa mangësi teknike por që inspektorët e qeverisë europiane të futbollit i kanë lënë si kushte për t’u plotësuar brenda 10-ditëshit të parë të nëntorit, në të kundërt rrezikohet zhvillimi i ndeshjes me Francës, i programuar edhe si dueli i parë ndërkombëtar për impiantin e ri të futbollit shqiptar në kryeqytet. Lajmi e dha fillimisht “TVSH”-ja e cila sillte në pah mangësitë që kishin konstatuar inspektorët e UEFA-s. Më pas një zyrtar i federatës i quajti pretendimet të pavërteta dhe konfirmoi se ndeshja me Francën do të luhej pikërisht në “Arenën Kombëtare”. “RTSH Sport” pretendon se gjatë inspektimit të fundit, të dërguarit e UEFA-s kanë pasur shumë kritika dhe kanë vendosur disa detyra emergjente ndaj njerëzve përgjegjës për finalizimin e punimeve. Pas disa orëve inspektim në stadium, ata janë larguar duke konfirmuar se do të kërkojnë periodikisht raporte për detyrat e shtëpisë që duhet të bëjë pala shqiptare. Problemet më të mëdha lidhen me çështjet teknike që kanë të bëjnë me prodhimin e sinjalit, transmetimin e ndeshjes dhe akomodimin e komentatorëve e gazetarëve. Sipas të dërguarve të UEFA-s, pozicionet e kamerave të transmetuesve të ndeshjes duhet të zhvendosen një kat më poshtë për të siguruar një pamje më të plotë, por me të njëjtën arsye duhen zhvendosur edhe vendet e komentatorëve të sfidës. Probleme janë evidentuar edhe në pozicionet ku do të akomodohen gazetarët në pjesën e tribunës pasi jo të gjithë reporterët do të kenë fushëpamje të plotë. UEFA kërkon që gazetarët të akomodohen në vende sa më komode dhe me pamje sa më të qartë të fushës së lojës. Të gjitha modifikimet duhet të bëhen brenda disa ditësh pasi nuk është marrë ende një vendim përfundimtar nëse sfida do të luhet në “Arenën Kombëtare”. “UEFA nuk ka lënë një afat dhe bëhet fjalë që të gjitha modifikimet lidhen ekskluzivisht vetëm me ndeshjen kundër kampionëve të botës sepse më pas është gjithë koha e nevojshme për të rregulluar çdo detaj. Gazetarët francezë, të pranishëm gjatë këtij inspektimi, nën zë kanë pranuar se në ndeshjen inauguruese, përveç presidenti të UEFA-s, Aleksander Ceferin, mund të jetë i pranishëm edhe presidenti francez, Emanuel Makron, një detaj jo pak i rëndësishëm që ndoshta i nxit edhe më shumë autoritetet shqiptare për të plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga UEFA”, shkruan “RTSH”-ja.
Reagimi i FSHF-së
Drejtori i zyrës së Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, thotë në emër të qeverisë së futbollit në vend se ndeshja me Francës do të luhet pikërisht në “Arena Kombëtare”. “FSHF dëshiron të informojë opinionin publik se në një vepër publike madhore siç është stadiumi i ri Kombëtar, ka pasur dhe ka probleme të vogla të cilat ndeshen në çdo investim madhor, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Ne ju sigurojmë se të gjitha zërat që kanë dalë se ka probleme në lidhje me sistemin e transmetimit dhe akomodimin e gazetarëve, janë totalisht të pavërteta. Çuditemi nga fakti se nga kanë dalë këto informacione”, thotë Verçani. Më tej, ai tregon edhe standardet e stadiumit, ku shprehet se “Arena Kombëtare” i ka plotësuar kërkesat e UEFA-s: “Stadiumi është i kategorisë së katërt, pasi i mungon vetëm kriteri i kapacitetit për të pasur kategorinë maksimale (pestë). Ka të gjitha vendet për komentatorët, të gjithë vendet në Kategorinë A për një ndeshje si Shqipëri-Francë. Ka 105 vende në pozicionin më të mirë në stadium për komentatorët dhe gazetarët sportiv. UEFA, në manualin e stadiumit kërkon 75 pozicione të tilla (me tavolinë), ndërsa impianti e ka tejkaluar këtë shifër. Sigurisht që kjo gjë dhe gjithçka tjetër do të raportohet ditë pas dite te UEFA, derisa të verifikohet edhe linja e internetit e gjithçka tjetër. Stadiumi e ka marrë miratimin që aty të luhet ndeshja Shqipëri-Francë. Miq gazetarë dhe sportdashës, ju mirëpresim në stadiumin e ri kombëtar për ndeshjen kualifikuese kundër Francës”, thotë Verçani i FSHF-së.
Adriatik BALLA