Komedia “Tango” me regji nga Artan Imami erdhi për publikun në skenë te “ArTurbina”. Në interpretimin e aktorëve Florian Binaj dhe Ledio Cako, dy mbrëmje të mbushura me humor dhe të qeshura shoqëruan publikun në “ArTurbina”. Në komedinë “Tango” është historia e një djali, që vuan sepse e ka lënë e dashura, dhe një djalë tjetër që do ta lërë të dashurën e tij. Artan Imamin këtë herë e gjejmë si regjisor në një komedi. Më herët për komedinë “Tango”, Imami ka treguar se tema kryesore është ajo e miqësisë midis dy shokëve, si dhe marrëdhënieve që kanë ata me të fejuarat respektive, marrëdhënia që kanë ata me lirinë e tyre individuale, me pasojat që sjell një divorc i padëshiruar dhe një divorc nga shoku tjetër i dëshiruar. Për regjisorin Artan Imami kjo shfaqje edhe pse ka gati ngjyrat dhe fjalorin e kabaresë vjen në skenë, si një komedi gazmore. “E gjitha është një komedi gazmore e bazuar në lojën e aktorëve, sepse është shkruar nga njerëz që jetojnë me teatrin. Ka ngjyrat edhe fjalorin e gati kabaresë, por është komedi klasike. Kështu që e bënte paksa të detyrueshme edhe marrjen në shfaqje të dy aktorëve, që janë nga më të suksesshmit në show-n e “Portokallisë”, në show-n komik, që ne kemi tip kabareje”, u shpreh regjisori Artan Imami. Me një eksperiencë të gjatë në fushën e teatrit Artan Imami shprehet se e sjell këtë vepër në skenë edhe falë viteve, që është angazhuar me teatrin. “Një njeri që ka jetuar 25 vjet në skenë sigurisht që ka kulturën për të vënë një shfaqje. Nuk është problemi se ambiciet e mia janë në këtë fushë, por në këtë mes edhe si producent jam i detyruar, që atë çka dua të arrij qoftë si vënie në skenë, qoftë dhe në përzgjedhje të materialit dramaturgjik mund ta bëj duke qenë regjisor, sepse nëse nuk jam nuk e vendos dot vetë këtë”, pohon Artan Imami, regjisor në shfaqjen teatrore “Tango”. Kjo komedi gazmore erdhi premierë për publikun në muajin maj të këtij viti. Me fillimin e sezonit artistik në teatër, komedia u rikthye sërish dy mbrëmje për publikun me interpretimin e dy aktorëve të njohur. Në aktivitetin artistik Artan Imami është një emër i vlerësuar në fushën e tetarit. Nuk ka munguar para publikut me role në vepra të ndryshme teatrore, ndërsa me këtë komedi ai prezantohet si regjisor.