Kolegji i Apelimit lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkon përfundimisht nga detyra Ervin Metallën, gjyqtari 15 vite jashtë sistemit

0
336

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Ervin Metalla. Ky i fundit u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por nuk e pranoi vendimin dhe ju drejtua Kolegjit të Apelimit. Dje KPA u mblodh në dhomë Këshillimi dhe vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK. Hetimi administrativ nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi se gjyqtari Ervin Metalla kishte kryer një seri transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, që financohet nga buxheti i shtetit. Relatorja Xhensila Pine tha në atë kohë se gjyqtari Metalla ka blerë një apartament 96.8 metra katrorë dhe një garazh 22 metra katrorë në vitin 2007 në Tiranë. Pasi ka paguar këstet e kredisë për gati 4 vite, gjyqtari Metalla në vitin 2011 ia ka kaluar kredinë bashkë me pronësinë e apartamentit të vëllait, ndërkohë që vazhdonte të banonte vetë aty. Sipas relatores së çështjes, subjekti i rivlerësimit i ka kryer këto veprime me qëllim përfitimin e një kredie me kushte lehtësuese nga BKT, “kredi të cilën nuk mund ta përfitonte pasi kishte ndërkohë një shtëpi dhe një kredi tregtare”. Kredia lehtësuese financohet nga buxheti i shtetit dhe përfitohet përmes kritereve të mirëpërcaktuara. Njëra prej këtyre kritereve është financimi i apartamentit në qytetin ku ushtrohet detyra, kusht i cili duket se i ka krijuar andralla shtesë gjyqtarit Metalla. Hetimi administrativ ka zbuluar se kredia lehtësuese është disbursuar në llogarinë e një kompanie private ndërtimi dhe është shoqëruar me një kontratë porosie për një apartament në Durrës. Në vitin 2012, kompania e ndërtimit i ka kthyer mbrapsht paratë në vlerën e 4.9 milionë lekëve përmes llogarisë bankare të babait të subjektit të rivlerësimit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti nuk ka deklaruar në vitin përkatës shumën prej 4.9 milionë lekësh dhe as kalimin e saj në llogarinë bankare të babait të tij. “Subjekti i rivlerësimit ka ndryshuar destinacionin e kredisë lehtësuese në kundërshtim me kriterin e strehimit vetëm në vendin e punës. Ai ka aplikuar në mënyrë të pasaktë dhe ka përfituar në mënyrë të padrejtë kredinë lehtësuese, e cila financohet nga buxheti i shtetit” tha relatorja Pine në atë kohë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here