Igli Tare në top-5 kandidatët për drejtorin sportiv më të mirë, synon “Globe Soccer Awards”

0
366

Një shqiptar po shkruan histori me arritjet e tij në futboll. Edhe pse e ka lënë futbollin aktiv, tani Igli Tare po shkëlqen si drejtor sportiv tek Lacio në Serinë A italiane, duke e mbajtur në nivele të larta, të qëndrueshme dhe natyrisht me fitime, diçka që e ka bërë Taren të marrë vlerësime e çmime për punën e tij vizionare në krye të një prej klubeve më të njohura e tradicionale italiane. Tare shquhet për menaxhimin e klubit në mënyrë perfekte, për strategjinë unikale që ndjek në treg me blerjet e reja, duke afruar lojtarë që në dukje nuk vlejnë shumë, por falë aftësisë së tij për t’i njohur ia kanë dalë të shkëlqejnë me fanellën bardhekaltër dhe falë strategut Igli Tare, Lacio ka blerë lojtarë me pak milina euro për t’i shitur me dhjetëra milionë euro. Pra, e thënë ndryshe, puna e shkëlqyer që Igli Tare po bën të Lacio gjatë këtyre vazhdon të vlerësohet. Pasi mori çmimin e drejtorit më të mirë sportiv në Itali nga faqja e specializuar “Tuttomercatoweb” për vitin 2018, këtë herë fama e shqiptarit i kalon kufijtë e Italisë. Tare është përfshirë në listën e 5 kandidaturave për drejtorin më të mirë sportiv të vitit nga “Globe Soccer Awards” teksa do të jetë pjesë e ceremonisë gala që do të mbahet më 29 dhjetor në Dubai për ndarjen e çmimeve. Rivalë të Tares në këtë garë janë emra shumë prestigjiozë që mbajnë e drejtorit sportiv në klube të mëdha. Erik Abidal i Barcelonës, Mark Overmars i Ajaksit, Berta i Atletiko Madrid dhe Edward i Liverpul do të rivalizojnë me drejtuesin shqiptar të Lacios për çmimin e drejtorit sportiv më të mirë të vitit 2019 që do të jepet nga “Globe Soccer Awards”. Edhe nëse nuk ja del të triumfojë, Tare e ka fituar tashmë çmimin e tij dhe ai është përfshirja në listën e 5 kandidaturave.

Trajneri më i mirë, në garë edhe “plakushi” i Portugalisë

Përsa i përket listës së trajnerëve, kandidaturat për teknikun më të mirë të vitit 2019 janë Masimiliano Alegri, Jurgen Klop, Erik ten Hag, Fernando Santos dhe trajneri i Algjerisë Djamel Belmadi, që fitoi Kupën e Kombeve të Afrikës. Në listën e ekipeve tre klubet e nominuar janë Liverpuli, Ajaksi si dhe skuadra e femrave të Lyonit, ndërsa emrat e përzgjedhur për listën e shkurtuar të futbollistit të ri më të spikatur të këtij viti janë Joao Feliks, Jadon Sanço, Kai Havertz, Erling Haaland dhe Ansu Fati. Te femrat janë shtatë kandidaturat: Lucy Bronze, Marta, Ada Hegerberg, Amandine Henri, portieria e Holandës Sari van Venendal, si dhe dy futbollistet e Shteteve të Bashkuara që fituan titullin në Botërorin e zhvilluar në Francë Aleks Morgan dhe Megan Rapinoe. Në listën e përzgjedhur për menaxherin më të mirë të vitit 2019 bëjnë pjesë Jorge Mendes, Mino Raiola dhe Federiko Pastorello.

Lojtari më i mirë, sërish rivalitet Mesi e Ronaldo

U publikuan emrat e listës së shkurtuar për çdo kategori, për çmimin e përvitshëm Globe Soccer Awards, ku bien në sy futbollistët Kristiano Ronaldo, Leo Mesi dhe Virgil Van Dijk për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit, listë ku spikat gjithashtu edhe emri i Igli Tares, që është kandidat për drejtorin më të mirë sportiv të vitit 2019. Komiteti Organizator i Globe Soccer Awards bëri të ditur kandidaturat përkatëse për 7 kategoritë e ndryshme të kësaj ankete, që zhvillohet për herë të 11 dhe që organizohet nga EFA, Shoqata Europiane e Menaxherëve të Futbollistëve, si dhe nga ECA Shoqata e Klubeve Europiane. Te lista e futbollistëve më të mirë bën pjesë sërish Kristiano Ronaldo, që ka fituar këtë çmim në 4 nga 5 vitet e fundit, por të pranishëm janë gjithashtu edhe Lionel Mesi, Bernardo Silva, si dhe katërshja e Liverpulit Mohamed Salah, Sadio Mane, Alison dhe Virgil van Dijk. Ndarja e çmimeve do të bëhet më 29 dhjetor në Dubai.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here