Listat e naftëtarëve, minatorëve dhe metalurgëve që përfitojnë pension suplementar priten të jenë gati. Prej muajit maj të këtij viti është miratuar një ligj i posaçëm në Parlament, i cili detyron shtetin t’iu japë pension suplementar kategorive që kanë kryer punë të rëndë fizike. Por prej 6 muajsh ky ligj ende nuk ka nisur të zbatohet dhe kjo gjë ka vënë në lëvizje deputetët e Partisë Socialiste. Sipas burimeve, deputetja socialiste, Antoneta Dhima i ka dërguar një letër Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, duke i kërkuar që të fillojë sa më parë zbatimi i këtij ligji. Por në përgjigjen e saj për deputeten Dhima, Ministria e Financave bën me dije se është marrë në konsideratë kërkesa për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, industrinë e naftës dhe të gazit. Ndërkohë, gazeta ka mësuar se kjo kërkesë ka nisur zbatimin dhe kanë filluar procedurat e plotësimit të dokumentacionit. Sipas informacioneve, mësohet se sapo Këshilli i Ministrave të miratojë listën e profesioneve, e cila është gati, do të fillojë shpërndarja e pagesave për pensionet suplementare për kategoritë e sipërcituara. Pra, pas presionit që kanë ushtruar deputetët socialistë, jo vetëm që është bllokuar ligji për naftëtarët, metalurgët dhe minatorët, por është gati edhe lista e personave që përfitojnë pension suplementar. Ndërkohë nga ana tjetër, mësohet se në përgjigjen për zonjën Dhima, Ministria e Financave, madje edhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë se ka marrë në konsideratë edhe kërkesën për dëmshpërblimin e shtëpive të dëmtuara pjesërisht nga tronditjet e tokës në Zharrëz dhe Marinëz.
Kategoritë që përfitojnë
Përfitues, sipas këtij ligji, janë pensionistet që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë dhe do të plotësojnë kushtet e këtij ligji në vitet e ardhshme, punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë shumë të vështira; shkrirje etj. Personave të sipërshënuar u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë, shtesë mbi pensionin e invaliditetit. Përfituesit të cilët kanë përfituar, ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë periudhë sigurimi në profesion; punonjësit e nëntokës 12.5 vjet; punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet, punonjësit e metalurgjisë; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet. Gjithashtu, punonjësit e këtyre industrive kanë të drejtën e trajtimit me pension për shkak të profesionit, deri në 15 vite përpara moshës së pensionit nga skema e detyrueshme.
Rigels Seliman








































