Italia po përpiqet të “ringjallë” kampionatin e saj, për ta kthyer sërish në majën e Europës, sikurse ishte dy e tri dekada më parë. Në fakt, kishte shumë klube italiane që bënin “ligjin” në Europë, sikurse ishte Milani, Interi, Juventusi, Fiorentina, Roma, Sampdoria, Napoli apo dhe Lacio. Në këtë moment Spanja dhe Anglia qëndrojnë më lart, por një shenjë e mirë që po kujton kthimin tek e dikurshmja, pra futbollit klasik italian, me dominim të forë të taktikës, por edhe futbollit të shpejtë e spektakolar, po e japin stadiumet e mbushura dhe krahasuar me një vit më parë, janë 10 % më shumë tifozë mesatarisht në çdo ndeshje, që do të thotë se futbollit italian po i kthehen tifozët, arma e fortë e tyre, por njëherësh simbo0li se niveli po rritet. Dhe kuptohet që Interi është i pari, pasi të gjithë e dinë që zikaltrit kanë një mbështetje të madhe brenda dhe jashtë Italisë dhe Interi është praktikisht skuadra më e ndjekur në Itali nga shkallët e stadiumit. Milani vjen i dyti dhe kjo tregon superioritetin e qytetit të Milanos, që lënë në vend të dytë Torinon e në vend të tretë Juventusin si klub, ndërsa kryeqyteti, Roma, me skuadrat e Lacios dhe Romës renditet më pas. Kështu, Liga e Futbollit në Itali ka përditësuar të dhënat mbi numrin e tifozëve që kanë frekuentuar stadiumet në Serinë A, në këto 9 javë të para dhe shifrat kanë vërtetë optimiste, madje shënojnë edhe rekord sa i përket epokës së kampionatit me 20 skuadra. Kështu mesatarja për 9 javët e para është 27 134 spektatorë për ndeshje, ndërsa një vit më parë, pas 9 javësh mesatarja ishte 25 586 spektatorë për ndeshje. Një numër të tillë mesatar për ndeshje, e gjen vetëm në sezonin 2000-2001, kur kampionati luhej me 18 skuadra. Natyrisht që klubet e Milanos janë ato që japin kontributin më të madh në rritjen e kësaj mesatareje, ku veçanërisht Interi dominon me një mesatare prej 64 271 spektatorësh për ndeshje, i ndjekur nga Milani me 56 050 tifozë për ndeshje në “San Siro”. Vetëm 39 651 tifozë për ndeshje ka Juventusi, që gjithsesi duhet theksuar se ka në dispozicion një stadium me kapacitet pak më të lartë se 40 mijë vende, ndërsa më pak nga të gjitha ndiqet Sasuolo, me 10 521 spektatorë për ndeshje. Vlen të theksohet se mjaft optimiste janë shifrat e Interit, që ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë sezon ka lënë pas në renditjen për numri ne tifozëve në stadium, klube si Real Madrid, Shalke 04 dhe Arsenal. Më shumë tifozë në stadium, krahasuar me klubin zikaltër, kanë vetëm Borusia Dortmund, Bajerni i Mynihut, Barcelona dhe Mançester Junajtid, që janë në shifrën e më tepër se 70 mijë tifozëve për ndeshje dhe ende larg Interit që renditet i pesti. Sidoqoftë, për momentin Interi është më lart se Reali i Madridit, Ajaksi, Liverpuli e Arsenali, Çelsi dhe Mançester Siti, apo dhe Paris San Zhermen si klubi më i ndjekur në Francë. E thënë ndryshe, numri i tifozëve në rritje në stadiumet italiane është shenjë e mirë që Serie A po rikthehet të konkurrojë në nivel maksimal në kuadër të top-5 ligave më të mira të futbollit kontinental (Europë).
Adriatik BALLA