Ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta kanë intensifikuar lëvizjet për të përçarë opozitën e re. Pas tentativës për të përçarë grupin demokrat të drejtuar nga deputetja Rudina Hajdari, gazeta ka mësuar se Meta dhe Berisha kanë shtrirë tentakulat edhe në dy grupet e tjera të opozitës së re, sikundër janë grupi parlamentar “I pavarur” dhe grupi parlamentar i “Partive të djathta”. Sipas informacioneve, mësohet se ish-kryeministri dhe kreu i shtetit synojnë që të përçajnë këto grupe parlamentare të opozitës së re, me qëllim që të mos sigurohen 94 vota e nevojshme nga ana e mazhorancës sa i takon shkarkimit të Metës nga detyra. Po ashtu, të njëjtat burime theksuan se tentativat e ditëve të fundit të dyshes Berisha-Meta për të përçarë opozitën e re kanë të bëjnë edhe me reformën zgjedhore, në mënyrë që deputetët e opozitës parlamentare të mos bashkojnë votat me mazhorancën për miratimin e saj.
Meta në panik nga reforma zgjedhore
Por përveç tentativës për të përçarë opozitën e re, presidenti Ilir Meta, madje dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë nisur edhe presionet ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, duke i kërkuar që të refuzojë miratimin e reformës zgjedhore, sipas variantit të ofruar nga mazhoranca, i cili penalizon partitë e vogla, sikundër është Lëvizja Socialiste për Integrim. Sipas informacioneve, mësohet se gjatë ditëve të fundit dyshja Berisha-Meta janë vënë në alarm nga fakti se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për reformën zgjedhore, takimi ky i cili do të zbuste gjakrat dhe ulte palët në tryezën e dialogut, duke bërë të mundur që Rama dhe Basha të shkojnë drejt një pakt të dytë si ai i 17 majit të dy viteve më parë. Të gjithë e mbajnë mend se nga takimi i 2017-ës Lëvizja Socialiste për Integrim dhe ish-kryeministri Sali Berisha dolën më shumë të dëmtuar. Partia e presidentit Meta u la jashtë koalicioneve, duke humbur shumë mandate deputetësh, ndërsa sa i takon Berishës, Basha e pastroi partinë nga njerëzit e tij. Pra, Meta dhe Berisha kanë frikë për puç nga Basha. Më konkretisht, një pakt i dytë do t’i priste duart Berishës që të kontrollonte Partinë Demokratike, pasi thuajse shumica e ish-deputetëve që mbështesin atë nuk do rikandidohen. Ndërkohë që, pakti Rama-Basha do sillte edhe fundin e LSI, pasi kjo parti nuk ka më akses në pushtetin vendor dhe qendror.
Nisja e protestave të dhunshme
Mirëpo, miratimi i reformës zgjedhore me bekimin e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, i cili do të rezultonte fatal për Lëvizjen Socialiste për Integrim, nuk është i vetmi merak i dyshes Meta-Berisha. Sipas informacioneve të gazetës, mësohet se ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë të alarmuar edhe mbi mënyrën se si kryedemokrati Lulzim Basha po bën opozitë kundër mazhorancës qeverisëse. Mësohet se gjatë ditëve të fundit Berisha dhe Meta kanë nisur presionet ndaj Bashës, duke i kërkuar që të nisë protestat e dhunshme, mënyrë kjo e vetme që shihet nga ta për ta shfrytëzuar për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Po ashtu, mësohet se ish-kryeministri dhe kreu i shtetit kanë kërkuar nga Basha që të japë një datë fikse se kur do ta rrëzojë Ramën, duke theksuar se premtimet deri më tani i ka marrë era. Por Berisha dhe Meta nuk janë të vetmit që po i ushtrojnë presion Bashës, duke i kërkuar që të çojë vendin drejt revoltave. Edhe media pranë Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Metës kanë nisur të sulmojnë kryedemokratin Basha, duke i kërkuar që të nisë sa më shpejt protestat. Madje, një gazetar shumë i afërt i Metës është shprehur dje i shqetësuar nga mënyrë se si po bën opozitë Lulzim Basha. Ai ka ngritur alarmin se përse Basha nuk i ka shfrytëzuar këto ditë me diell, për të organizuar protesta të fuqishme për rrëzimin e Ramës.
Rigels Seliman









































