Thellohen përplasjet brenda opozitës. Të hënën kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje në selinë blu me aleatët e tij, ndërsa gazeta ka mësuar detaje nga ky takim. Sipas informacioneve, mësohet se kryetarja e LSI dhe disa prej aleatëve të Bashës kanë shfaqur rezerva dhe pakënaqësi, sa i takon axhendës së opozitës. Në këtë kontekst, mësohet se ata i kanë kërkuar kryedemokratit Basha që të ndryshojë kurs dhe se është momenti më i përshtatshëm për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama nga pushteti. Madje, sikundër pohuan burimet, mësohet se Kryemadhi dhe aleatët e kanë kërcënuar Bashën se do të nisin vetë protestat, nëse kreu i PD heziton që të thërrasë njerëzit në tubim kundër qeverisë. Mësohet se aleatët ia kanë bërë të qartë liderit të selisë blu se nuk ka më vend për lojëra politike, pasi për ta dhe opozitën rrëzimi i Ramës duhet të jetë kryefjala e tyre. Por në të gjithë këtë debat të ndodhur, bie në sy fakti se kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe disa prej aleatëve të Partisë Demokratike kanë kushtëzuar Bashën se protestat duhet të jenë të forta dhe jo si ato që kanë ndodhur deri më tani, gjatë këtyre 8 muajve. Burime të sigurta i pohuan gazetës se Kryemadhi dhe aleatët ia bënë të qartë Bashës se ata kanë mbështetje edhe nga njerëzit e ish-kryeministrit Sali Berisha, në rast se kryedemokrati do të refuzojë të thërresë qytetarët në protesta anti-qeveritare. Pra, të gjitha këto lëvizje tregojnë qartë se aleatët e Bashës duket se i frikësohen një pakti të dytë mes PD dhe PS, kështu që për të mos dalë jashtë loje, kanë nisur presionet ndaj lidershipit të Partisë Demokratike.
Njerëzit e Berishës marrin në dorë organizimin e protestave
Por ajo që e vërteton më së miri faktin se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është nën presion është fakti se njerëzit që njihen si mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha kanë nisur organizmin e protestave. Sinjali më i freskët vjen nga Kamza, teksa ish-kreu i bashkisë së këtij qyteti, Xhelal Mziu ka paralajmëruar rikthimin e protestave. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mziu, i cili njihet dhe si një mbështetës i flakët i zotit Berisha, ka njoftua pak ditë më parë se protestat do të zhvillohen në të gjithë vendin dhe që sipas tij, kanë si qëllim largimin e kryeministrit Edi Rama. Madje, për të treguar se protestat do të jenë të forta, Mziu ka hequr një paralele me vitin ‘90, kohë kur u përmbys me dhunë pushtetit komunist. “Të gjithë shqiptarët Rama Ik. Protesta masive si në vitin ’90 për rrëzimin e bustit Rama, për shpëtimin e Shqipërisë”, deklaroi Mziu. Pra, këto lëvizje tregojnë se pas ultimatumit të aleatëve për Bashën fshihet edhe Berisha, i cili prej kohësh kërkon revolucion dhe mosbindje civile.
Ultimatum të qëndrojë larg Zgjedhores
Por ultimatumi për rikthimin e protestave të fuqishme, nuk ka qenë i vetmi ultimatum që kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe aleatët e Bashës kanë adresuar ndaj këtij të fundit. Sipas informacioneve nga selia blu, mësohet se Kryemadhi dhe disa nga aleatët e pranishëm në mbledhjen e se hënës, i kanë bërë të qartë kryedemokratit Lulzim Basha që të qëndrojë larg reformës zgjedhore. Mësohet se aleatët i kanë kërkuar Bashës që nëse do të ulet në tryezën e reformës zgjedhore, duhet të jenë të pranishëm edhe ata, pasi në rast se Basha shkon i vetëm, gjasat janë që të ketë një marrëveshje të dytë si ajo e 17 majit të vitit 2017, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Gazeta e ka deklaruar se Basha dhe Rama synojnë të shkojnë në një pakt të dytë, i cili do të rezultonte fatal për LSI dhe partitë e tjera të opozitës joparlamentare. Kështu që, nisur nga këto zhvillime Kryemadhi dhe aleatët kërkojnë që reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm mes PS dhe PD. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Rigels Seliman









































