Google search engine
Home Politike Opozita parlamentare jep shenja tërheqje, reforma zgjedhor miratohet brenda vitit, do ndërhyhet...

Opozita parlamentare jep shenja tërheqje, reforma zgjedhor miratohet brenda vitit, do ndërhyhet në draftin e PS

0
338

Reforma zgjedhore pritet të miratohet brenda këtij viti. Opozita parlamentare ndonëse prej pak kohësh nuk lëvizte nga kushti për të mos e votuar reformën zgjedhore në dy faza, siç e ka propozuar mazhoranca qeverisëse, por kërkonte që si rekomandimet e OSBE-se ashtu edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor të votohen së bashku, ka filluar të tërhiqet. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari u shpreh ditën e djeshme se vendi duhet të shkojë në dy palë zgjedhje për njëherë, parlamentare dhe lokale për daljen nga kriza. “Zgjidhja është vetëm 1, brenda Dhjetorit të zhbëhet marrëveshja e 2008, të miratohen rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe vetëm më pas të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare e lokale dhe ta ndreqim këtë vend. Boll me kryetarë perandorakë që e kanë shkatërruar demokracinë në këtë vend”, u shpreh deputetja Rudina Hajdari. Por përveç kësaj, gazeta ka mësuar dhe detaje mbi draftin final që do i shkojë seancës plenare. Kur komisioni i reformës drejtohej nga Oerd Bylykbashi dhe Bledi Çuçi, u hartua një draft, i cili ka si bazë depolitizimin e komisioneve. Me këtë draft LSI është partia më e humbur. Sipas burimeve, edhe diskutimet që janë duke u zhvilluar tani me opozitën e re, janë mbi bazën e këtij dokumenti. Thelbi i tij nuk do ndryshojë, por pritet të reflektohen disa nga propozimet e deputetëve të rinj. Ky draft përmban të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Reagon Rama

Por edhe kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur se reforma zgjedhore do të mbyllet brenda këtij viti. Në një reagim për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë socialiste, shefi i qeverisë deklaroi se të gjitha rekomandimet e OSBE do të miratohen me apo pa PD, duke theksuar se opozita parlamentare e mbështet miratimin e reformës zgjedhore. “Reformën zgjedhore do ta bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë – sikundër përcaktohet edhe në pikën përkatëse të Parlamentit gjerman dhe në Parlament në dijeninë time ka një opozitë, e cila është e përfshirë në komisionin e reformës zgjedhore, ku ka dhe një karrige bosh për miqtë tanë të opozitës jashtë parlamentare dhe është në të drejtën e tyre të ulen apo të mos ulen në atë karrige. Por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Më tej, shefi i qeverisë deklaroi se miratimi i reformës zgjedhore është një nga kushtet e Bundestagut, duke theksuar se rekomandimet e OSBE janë pjesë e ligjit zgjedhor dhe si e tillë do miratohet në Parlament. “Të ecim përpara me reformë zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë, pra të miratojmë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR si pjesë e ligjit zgjedhor, të presim se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, të cilat janë siç e kam thënë më shumë se një herë, të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë në vetvete”, u shpreh Rama.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here