Teatri Kombëtar këtë sezon artistik e çeli me veprën teatrore “Xhelatët”. Shkruar nga Martin Megdonagh, veprën e sjell në skenë regjisori Qëndrim Rijani. Kjo dramë mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës do të jetë në skenë te “ArTurbina” për publikun. Vepra është përkthyer nga Artur Lena dhe në skenë ajo interpretohet nga aktorë të njohur si Lulzim Zeqja, Arben Derhemi, Donald Shehu , Florian Agalliu, Adelina Muca, Sokol Angjeli, Genci Fuga, Hervin Culi, Genti Deçka, Ardian Cerga, Xhuliano Brisku, Myzafer Zifla, Ina Konomi Gjonci, Altea Lazaj. Vepra teatrore “Xhelatët” trajton temën e dënimit me varje. Historia zhvillohet në Anglinë e viteve 1965. “Cilët janë kriminelët e vërtetë dhe a do të marrin ata ndëshkimin e merituar? Ju ftojmë ta zbuloni në sallën e madhe, “ArTurbina”, në shfaqjen “Xhelatët””, shkruan teatri. “Xhelatët” është një vepër, që përveç faktit që ka rrëmbyer çmime dhe është një pjesë e re, që po bëhet pjesë e teatrove më të mira të botës. Skenografia dhe kostumografia nga Berina Kokona dhe muzika është shkruar nga kompozitori Fatos Lumani. Veprat e autorit Martin McDonagh janë shfaqur dhe më parë në skenat e teatrit tonë. Por sa i takon dramës “Xhelatët” ajo është shkruar këto vitet e fundit dhe në vetvete sipas regjisorit Qëndrim Rijani përmban dhe një aktualitet me vendin tonë vite më parë në kohën e komunizmit. Regjisori Qëndrim Rijani është mjaft aktiv në skenën e teatrit brenda Shqipërisë, por dhe jashtë saj. Në aktivitetin e tij me teatrin ai është vlerësuar me çmime të ndryshme në festivale. Këtë herë shfaqja me regji prej tij është e para në sezonin artistik të Teatrit Kombëtar, që më pas do të sjellë në skenë vepra të tjera teatrore. Martin McDonagh është dramaturg, skenarist, producent dhe regjisor. Ai është ndër dramaturgët më të mirënjohur irlandezë, fitues i Academy Award për filmin e shkurtër më të mirë, kandidat për tre Academy Awards të tjera, fitues i tre çmimeve BAFTA në 2018 dhe dy çmimeve Golden Globe për filmin e tij “Three Billboards Outside Ebbing, Misuri”. Në teatër është i njohur me “Trilogjinë Leenane”, “Trilogjinë e ishujve Aran”, si dhe veprat “A Behanding in Spokane”, “Hangmen” (Xhelatët) dhe “A Very Very Very Dark Matter”.