Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi foli ditën e djeshme mbi zgjedhjet e 30 qershorit dhe për dekretin e Presidentit të Republikës për 13 tetorin. Gjatë një interviste televizive, ajo deklaroi se dekreti i presidentit megjithëse u komentua nga gazetarët si frymëmarrje për opozitën, ai i dha frymëmarrje kryeministrit të vendit, Edi Rama. Sipas Kryemadhit, nëse zgjedhjet do mbaheshin më 13 tetor, Lëvizjes Socialiste për Integrim do t’i jepte mundësinë kryeministrit Edi Rama që të zhvillonte zgjedhje të lira dhe të ndershme të cilat morën një raport kritik nga OSBE-ODHIR. Sipas saj, zgjedhjet janë i vetmi instrument që i jep fund situatës politike edhe ngërçit që po përjeton, duke shtuar se opozita paraqiti në tryezën e OSBE 5 pika. “E vetmja mënyrë për më mbyllur këtë debat shterpë njëherë e mirë janë zgjedhjet, sepse njerëzit do të kenë mundësi për t’u shprehur. Ne duhet të mendojmë tani se si do të zgjidhim situatën politike, po vazhduam kështu, Shqipëria rrezikon të përfundojë në kolaps politik. Këtu nuk paguan qeveria, por janë shqiptarët që do të paguajnë janë qytetarët shqiptarë. Opozita në ftesën e konferencës që u organizua nga Kuvendi dhe OSBE, paraqiti pesë pikat e saj shumë të qarta. E para, kjo përpjekje njëherë erdhi nga opozita dhe jo nga mazhoranca. Ajo që ne kemi propozuar është shumë e qartë, ndërsa pala tjetër ka qenë refraktare”, tha Kryemadhi. Më tej kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim u shpreh se ka në pronësinë e saj një pallat me hapësirë prej 16 mijë metra katror. “Fëmijët e mi studiojnë në Angli sepse këtu nuk ka asnjë mësues të mirë matematike që të ma mësojë. Unë e kam shansin për fëmijën tim. Unë e kam ndërtuar pallatin tim me lejë të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Kam fatin e mirë që ma ka dhënë babai pallatin prej 16 mijë metra katrorë në të cilën shkolloj fëmijët e mi”, u shpreh kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.