Trump mbron tërheqjen nga Siria: Nuk bëjmë luftë me Turqinë, aleate e NATO

0
289

Ofensiva ushtarake e Turqisë në veri të Sirisë kundër militantëve kurdë ka hasur dje në rezistencën e forcave të Sirisë, të cilat iu përgjigjën thirrjeve kurde për mbrojtje në Manbixh. Turqia thotë se ka vrarë deri tani 100 militantë të forcave kurde YPG, të cilat i konsideron terroriste, ndërsa monitoruesit ndërkombëtarë thonë se të paktën 10 civilë janë vrarë nga ofensiva dhe rreth 100.000 të tjerë janë shpërngulur. Pas kritikave të ashpra për braktisjen e forcave kurde në Siri me të cilat SHBA ka luftuar si aleate kundër ISIS, presidenti amerikan Donald Trump ka mbrojtur vendimin e tij, duke u justifikuar se nuk mund të luftojë kundër aleatëve të NATO, Turqisë, për kurdët e Sirisë. Madje ai sugjeroi se kurdët po lirojnë qëllimisht nga burgu anëtarët e kapur të ISIS, me qëllim rikthimin e SHBA në krahun e tyre. “Vërtet mendoni se ne duhet të bëjmë luftë me anëtaren e NATO, Turqinë?”, tha Trump duke shtuar se po përgatiten sanksione të rënda ndaj Turqisë. “Kurdët mund të jenë duke liruar disa nga të burgosurit e ISIS, qëllimisht për të përfshirë amerikanët”, shtoi Trump. Më herët një komandant sirian kurd tha se të burgosurit e ISIS nuk do të jenë më “prioritet kryesor” pas nisjes së ofensivës turke. Burime të tjera kurde thanë se qindra të burgosur ishin arratisur kur burgjet u vunë nën zjarrin e Turqisë. Trump tha se të arratisurit nuk janë një kërcënim. Numri i të burgosurve të ISIS dhe familjeve të tyre llogaritet në rreth 100,000.

Konflikt u shumëfishtë

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, raportoi për hyrjen e trupave siriane dhe kurde në Tal Tamr, rreth 20 kilometra nga kufiri, me qëllim të konfrontimit me agresionin e turqve. Pas largimit të SHBA nga rajoni, rezultati i përplasjes së mundshme të ushtrive do të varet vetëm nga qëndrimi i Rusisë, e cila është mëbshtetëse e qeverisë së Bashar al Assad. Presidenti francez Emannuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, shprehën domosdoshmërinë e koordinimit për të ndaluar Turqinë të shkaktojë atë që ata e quajnë situatë të papërballueshne humanitare. Marrëveshja midis kurdëve, sirianëve dhe rusëve që janë aleati kryesor i Sirisë, erdhi katër ditë pas operacionit të forcave turke kundër kurdëve në veri të Sirisë, pasi SHBA tërhoqi pothuajse të gjitha trupat nga vendi. Emannuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel thanë në një konferencë të përbashkët se Turqia rrezikon të shkaktojë një krizë të papërballueshme humanitare. “Në njërën anë, kjo ofensivë rrezikon të krijojë një krizë humanitare, të cilën veç mund ta shohim. Në anën tjetër, rrezikon të ndihmojë rishfaqjen e Shtetit Islamik në rajon. Ashtu siç e njoftuam Turqinë se ne do ta ndërpresim shitjen e armëve, vazhdojmë të jemi të koordinuar për nisma të tjera në orët dhe ditët në vazhdim”, tha Presidenti francez Emannuel Macron.

Zbrazja e burgjeve

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, tha dje se luftëtarët kurdë të Sirisë kishin zbrazur një burg në të cilin gjendeshin të burgosur të Shtetit Islamik në një pjesë të Sirisë. Duke folur para gazetarëve në Ankara të hënën, Akar tha se YPG kishte zbrazur burgun e vetëm të Shtetit Islamik që forcat turke kishin arritur deri më tani në zonën e parashikuar “zonë të sigurt” dhe se të burgosurit ishin larguar nga aty. “Siç e dini, ekziston një çështje e burgjeve në këtë temë. Ne jemi të vendosur të tregojmë përpjekjen maksimale për këto burgje. Sidoqoftë, ekzistonte vetëm një burg (i tillë) në rajonin tonë”, citohet të ketë thënë Akar. “Kur shkuam atje, pamë se ishte zbrazur nga YPG dhe militantët e Shtetit Islamik atje ishin rrëmbyer. Ne e përcaktuam këtë përmes fotografive dhe filmimeve,…”, ka shtuar ai. Akar nuk tha se sa të burgosur besohej se ishin marrë nga burgu, as nuk sqaroi se kush i kishte marrë të burgosurit dhe ku i kishte dërguar. Gjithashtu nuk ka asnjë koment të menjëhershëm nga YPG.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here