Sulmet ndaj prokurorit të Durrësit, zbardhet dosja e plotë, “luftë” e fortë për regjistrimin e disa pronave në Gjirin e Lalëzit

0
346

Zbardhet dosja e plotë e arrestimit të kreut të Kadastrës së Durrësit. Kryeministri Edi Rama dhe zëvendës kryeministri Erion Braçe, kanë nisur një luftë të fortë me drejtësinë për këtë çështje, duke sulmuar prokurorin Arjan Ndoja. Gazeta ka siguruar kërkesën e prokurorisë, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, për Liridon Pulën, ku jepen detajet e çështjes në fjalë. E gjithë lufta bëhet fjalë për disa prona në Gjirin e Lalëzit. Sipas prokurorit, një kompani ka përfituar troje në këtë zonë, ndërsa Kadastra ka shkelur ligjin me regjistrimin e tyre, ndërsa në prokurë, shkruan se gjatë fazës së hetimeve, ka sekuestruar dokumentacionin‌ ‌në Kadastrën e Durrësit. “Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, është marrë dijeni se në Zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës ishte bërë regjistrimi fillestar i një numri të konsiderueshëm pasurish, në favor të subjektit investitor, Lura shpk, në volumet e regjistrimit me numër 13, 14, 15 të Katundit Gjiri i Lalëzit, Zona Kadastrale 2375. Këto pasuri, rridhnin nga kontrata sipërmarrjeje, me pronarët e truallit, por nuk ishin shënuar në regjistrat e lartpërmendur, kufizimet e sipërfaqeve takuese, të pronarëve të truallit, një shkelje kjo, sipas parashikimeve ligjore të ligjit për kadastrën, konkretisht nenet 50 dhe 51 te tij. Pavarësisht regjistrimit fillestar, pa u bërë përcaktimi i pjesëve takuese, dhe mosnënshkrimi i regjistrave, ku bëhet regjistrimi i këtyre pasurive nga specialisti jurist dhe nga Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, dhe as nuk është vulosur nga ky institucion, dhe pas regjistrimit fillestar mbi bazën e aplikimeve të ndryshme, nga shoqëria janë bërë transaksione të tjera me persona të tretë”, thuhet në dosje.

Argumentet “kundër”
Prokurori, në kërkesën e tij, ku kërkon arrestimin e kreut të Kadastrës, në kuadër të regjistrimit të kompanisë në fjalë, thekson se autoriteti që bën lëshimin e certifikatës, duke e nënshkruar dhe vulosur, është Drejtori i A.SH.K S-së, Durrës. “Ai ka targat ligjore që të mos e nënshkruaj një certifikatë të printuar, pas përfundimit të përpunimit të praktikës nga ana e juristit specialist dhe hartografit përkatës, në rastet kur nuk plotësohen kushtet ligjore”, shkruhet në dokument. Ndërsa shton se shoqëria në fjalë, nuk e ka kryer procesin e përfundimit të kontratave të shkëmbimit me pronarët e truallit, ndonëse ka paraqitur një deklaratë dhe një kërkesë, për vendosjen e kufizimeve në lidhje me pasuritë e individualizuara të pronarëve të truallit. Gjithashtu, mungojnë edhe kontratat sipërmarrjes përkatëse me pjesët takuese, të cilat janë dokumentet e vetme ligjore, mbi bazën e të cilave mund të bëhet kufizimi i saktë i njësive në favor të pronarëve. “Duke qenë se regjistrimi, nuk ka qenë i plotësuar, rezulton se ato nuk janë prodhuar dhe nuk i janë dorëzuar subjektit. Nga ana tjetër në bazë të rregullores së këtij institucioni, rezulton se Drejtori, si autoritet përgjegjës që e kontrollon të gjithë praktikën, jurist me eksperiencë në këtë sektor, rezulton se me dashje direkte, ka shmangur një procedurë ligjore të tillë, pasi as nuk ka verifikuar fizikisht volumin e regjistrimit të pasurive dhe as nuk ka nënshkruar atë, nuk është kaluar në protokoll për tu vulosur, dhe as nuk ka parë fizikisht kartelën e pasurive”, citohet në dokument, duke shtuar se, nëse drejtori do ti shikonte, do të vërente se në kartela nuk kishte kufizime për të gjitha pasuritë, ashtu siç i kërkon ligji, pasi mungonin kontratat e sipërmarrjes me njësi të individualizuara.

Ornela Çelpica

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here