Qeveria ka ulur numrin e dokumenteve që duhet të paraqesin ushtarakët, policët, zjarrfikësit apo punonjësit e SHISH pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore për të përfituar pension suplementar. Të gjithë personave që u lind e drejta nga ligji duhet të paraqiten pranë zyrave të ISSH, e cila do i pajisë me dy kopje kërkese format dhe me listën e dokumenteve të nevojshme. Sipas vendimit të vjetër, të gjithë personat e sipërpërmendur duhet të dorëzonin 5 dokumente, por qeveria ka vendosur të heqënjërin prej tyre. Nga tani e tutje nuk ka nevojë për të paraqitur në ISSH vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive nëse ka përfituar ose jo tokë, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën” të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore. Ndërkohë të vetmet dokumente që duhen dorëzua janë: Fotokopje të letërnjoftimit; certifikatë familjare; deklaratë individuale për gjendjen e punësimit; vërtetim nga zyrat e tatim-taksave nëse ushtron veprimtari ekonomike si punëdhënës ose i vetëpunësuar. Tjetër ndryshim është bërë edhe në pikën F të vendimit “NR. 793, datë 24.9.2010, të Këshillit të Ministrave, Për zbatimin e ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009, Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”. Sipas ndryshimeve të propozuara nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, për personat që punësohen dhe vetëpunësohen, bazuar në deklaratën e personit dhe vërtetimin e lëshuar nga organet përkatëse, masa e pensionit të parakohshëm vihet në nivelin e pensionit bazë të pleqërisë, të caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, që është apo ka qenë në fuqi për atë periudhë, me përjashtim të personave, të cilët kanë përfituar tokë sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore dhe ushtrojnë aktivitet si persona të vetëpunësuar në bujqësi.
Bursa për fëmijët e ushtarakëve të humbur në detyrë
Në vendimin e publikuar nga qeveria përcaktohet edhe trajtim ekonomik dhe bursa me qëllim vazhdimin e arsimit për fëmijët e ushtarakëve dhe policëve që kanë humbur jetën në detyrë, kjo reflektuar në ligjin “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 5, të ligjit nr. 10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”. Sipas këtij vendimi përfitojnë menjëherë trajtim ekonomik dhe bursa: nxënësit të cilët kanë marrë statusin jetim; nxënësit, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, Forcave të Armatosura, të SHISH, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës; Nxënësit, të cilët ndjekin studimet në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar, mund të përfitojnë bursë dhe përfitime të tjera, të parashikuara në këtë vendim nga buxheti vjetor. Por, sipas vendimit, fëmijët, nxënësit e lartë përmendur e humbin këtë të drejtë nëse janë ndarë nga trungu familjar.
Esmeralda Hida








































