Miratohet ligji, forcohen masat për pastrimin e parave, ja si do të bllokohen llogaritë dhe transfertat bankare me ndihmën e ndërkombëtarëve

0
292

Qeveria ka shtuar masat sa i takon luftës ndaj pastrimit të parave. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi ditën e djeshme projektligjin “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, ligjet kaluan pa asnjë debat. Drafti u paraqit në Komision nga zëvendësministri i Jashtëm, Etien Xhafaj, i cili tha se prioritet do t’i jepet luftës kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të përfshihen në zbatimin e tij agjencitë më të rëndësishme ligjzbatuese në vend. Sipas tij, një strukturë e posaçme në Ministrinë e Jashtme do të monitorojë aplikimin e masave parandaluese që cenojnë sigurinë.

“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja dhe zbatimi i masave shtrënguese ndërkombëtare në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë, parandalimit të konflikteve ndërkombëtare, mbështetjes dhe forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, të të drejtave të njeriut, si dhe arritja e objektivave të tjerë të sigurisë së përbashkët, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë”, u shpreh për komisionin zëvendësministri i Jashtëm, Etien Xhafaj.

Bllokimi i parave

Në projektligjin e miratuar ditën e djeshme, në nenin 12 theksohen procedurat e zbatimit të masave shtrënguese me karakter financiar, të cilat lidhen me bllokimin e aseteve dhe të fondeve. Duke iu referuar këtij neni, organi përgjegjës ka detyrim të bllokojë në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë njoftim paraprak asetet e subjekteve, ndaj të cilëve i është vendosur masa shtrënguese financiare. Po ashtu, projektligji parashikon administrimin e aseteve dhe fondeve të bllokuara, të cilat duhet të bëhen në përputhje me aktet ligjore në fuqi. “Detyrimi për bllokim përfshin: të gjitha fondet dhe asetet, që zotërohen apo kontrollohen nga personi apo enti i shpallur, dhe jo vetëm ato që mund të lidhen me një akt, plan apo kërcënim të veçantë për financim të prodhimit të armëve të shkatërrimit në masë; fonde apo asete të tjera, që janë tërësisht apo bashkërisht të zotëruara apo kontrolluara, direkt apo indirekt, nga persona apo ente të shpallura; fondet apo asetet e rrjedhura apo të prodhuara nga fondet apo pasuritë e zotëruara apo kontrolluara direkt apo indirekt nga personat apo entet e shpallur; fondet dhe asetet e personave apo enteve, që veprojnë për llogari apo nën drejtimin e personave apo enteve të shpallura. Organi përgjegjës ka detyrimin të bllokojë pa vonesë dhe pa njoftim paraprak asetet e subjekteve, ndaj të cilave është vendosur masa shtrënguese financiare”, thuhet në projektligj. Sipas rezolutës 1718, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së duhet të kenë autoritetet dhe aftësitë për të zbatuar masat për ngrirjen e aseteve dhe të sigurojnë se çfarëdo fondi ose pasuri të tjera dhe burime ekonomike të mos vihen në dispozicion ndaj këtyre personave dhe subjekteve të shpallur. Të gjitha shtetet anëtare të OKB-së duhet të kenë autoritetet dhe aftësitë për të zbatuar masat për ngrirjen e aseteve dhe të sigurojnë se çfarëdo fondi ose pasuri të tjera dhe burime ekonomike të mos vihen në dispozicion të këtyre personave dhe subjekteve të shpallura, si edhe ata që veprojnë në emër të tyre ose nën drejtimin e tyre apo ato në pronësi ose të kontrolluara nga ata. 

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here