Mediu: Gjiknuri ekspert i reformës zgjedhore, largimi i tij nuk është kusht, platforma erdhi si pasojë e kërkesës së ndërkombëtareve

0
321

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka folur dje mbi aktualitetin politik, duke vendosur theksin tek reforma zgjedhore, deklaroi që largimi i Damian Gjiknurit nga Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk është më kusht i opozitës. Kështu, dje janë dhënë sinjale të tjera se opozita dhe mazhoranca mund të shkojnë drejt një dialogu për reformën zgjedhore. Ndër të tjera ai e ka cilësuar Gjiknurin si ekspert të reformës zgjedhore. “Jemi në një moment të rëndësishëm kombëtar, para 18 tetorit. Janë parashtruar përgjegjësi nga parlamenti gjerman, por janë akuza për kryeministrin Rama dhe duhet parë një zgjidhje. Opozita ka arritur në atë pikë që shqetësimet e saj, tashmë janë bërë pjesë e një kërkese ultimative të ndërkombëtarëve dhe padyshim ky është një moment suksesi i ndërkombëtarizimit të problemeve. Ndërkombëtarët kërkojnë që të mos jemi vetëm diskutues, por edhe zgjidhje të problemit. Largimi i Gjiknurit, kusht? Nuk kam paragjykime për kundërshtarin tim, as nuk bëj rolin e gjyqtarit, nëse ka një çështje të ngritur janë ata që vendosin. Nuk është kusht, nga pikëpamja e moralit është e drejtë. Një dialog është një marrëdhënie besimi. Gjiknuri ka qenë ekspert i reformës zgjedhore dhe mbetet për t’u parë kontributi i gjithësecilit”, tha Mediu. Ndër të tjera, Mediu ka komentuar edhe platformën e opozitës me 5 kushte për mazhorancën. Ai tha se një gjë e tillë ka ardhur edhe si pasojë e kërkesës së ndërkombëtarëve, që opozita të mos kishte vetëm rol denoncues, por të ofrojë një zgjidhje. “Patjetër që duhet të diskutojmë me PS për përshpejtimin e reformës zgjedhore, në drejtësi dhe problematika të tjera që ka Shqipëria. Janë kushte të qeverisë dhe opsione të opozitës për zgjidhje. Unë mendojë që ajo që i ka munguar Ramës është serioziteti për të vlerësuar nevojën për një dialog dhe të dëgjojë qëndrimet e ndërkombëtarëve. E ka parë opozitën si armike, por ka filluar edhe sulmet ndaj ndërkombëtarëve. Opozita tregoi me veprimet e saj që ka një mbështetje qytetare në zgjedhjet lokale. Opozita reale ka ofruar mundësinë e një dialogu politik, e bëmë në tryezën e OSBE-së. Ndërkombëtarët duan dialog të qenësishëm, pra që opozita të ketë të qartë zgjidhjen e problemeve. Nëse flasim për dialog politik, duhet të trajtojmë problemet tona dhe problemi ynë nuk është vetëm reforma zgjedhore. Ka disa elementë të tjerë”, tha kreu i PR-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here