Zyrtarizohen 7 anëtarët e parë të SPAK, s’ka ankimim për Altin Dumanin dhe Klodjan Brahon, ja emrat që do të hetojnë pushtetarët e korruptuar

0
314

Struktura e Posaçme Antikorrupsion po merr formë pak nga pak. Afro 3 vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, organi i cili do të ketë në dorë fatin e pushtetarëve të korruptuar po bëhet gati. Teksa në garë për në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion janë 15 prokurorë, shtatë prej tyre mund të quhen zyrtarisht anëtarë. Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në “sitën” e vetingut 10 kandidatë. Të dhjetë ata janë konfirmuar në detyrë, ndërsa po ashtu janë zbardhur edhe vendimet e plota. Nga këta 10 prokurorë, shtatë prej tyre janë gati të emërohen në SPAK. Për Arben Krajën, Enkeleda Millonain, Ened Nakuçin, Edvin Kondilin, Behar Dibrën, Altin Dumanin dhe Klodjan Braho KPK ka renditur arsyet e plota se pse janë konfirmuar në detyrë, ndërsa me këto vendime është dakordësuar edhe Komisioneri Publik. Për asnjërin prej tyre Komisioneri nuk ka ushtruar ankimim. Së fundmi, kanë skaduar afatet e ankimimit për prokurorët Altin Dumani dhe Klodjan Braho. Vendimet për ta Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i zbardhi në datën 11 shtator. Kjo do të thotë që Komisioneri Publik pati mundësi të kundërshtonte vendimet e KPK deri në datën 27 shtator, duke qenë se afati i ankimimit është 15-ditor. Dumani dhe Braho ia hodhën paq testit të vetingut dhe tani nuk i pengon më asgjë që të bëhen anëtarë të SPAK. Mjafton që të mblidhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe të japë “OK” për ta. Ndërkohë, për Edvin Kondilin, Behar Dibrën, Arben Krajën, Enkeleda Millonain dhe Ened Nakuçin vendimet qenë zbardhur më herët dhe afatet e ankimimit kanë skaduar me kohë. Edhe ata, njëjtë si Dumani e Braho, janë gati të marrin në duar frenat e luftës antikorrupsion. Sakaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimet edhe për prokurorët Besnik Muçi, Manjola Kajana dhe Elida Kaçkini. Për këtë të fundit ka afat deri në datën 3 tetor për ankimim, ndërsa Muçi dhe Kajana tashmë janë ankimuar. Për Besnik Muçin ka nisur beteja në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ndërsa për Manjola Kajanën është përcaktuar vetëm trupa gjykuese. Pra, deri tani 7 prokurorë mund të quhen zyrtarisht anëtarë të SPAK, ndërsa 3 të tjerë janë ende në pritje.

5 prokurorët në pritje

Përveç emrave të lartpërmendur, janë edhe pesë prokurorë të tjerë që nuk kanë kaluar akoma në “filtrin” e vetingut. Bëhet fjalë për Elisabeta Imerajn, Ndini Tavanin, Anita Jellën, Doloreza Musabelliun dhe Anton Martinin. Edhe pse pritej që seancat dëgjimore për ta të mbylleshin brenda shtatorit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk shqyrtoi asnjë dosje të tyren. Tani mbetet të shihet sesi do të veprohet gjatë tetorit. Pavarësisht këtyre vonesave, mund të themi se ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion nuk mund të pengohet më shumë gjatë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka menduar një plan për ta ngritur sa më parë këtë strukturë. Sipas Gent Ibrahimit, SPAK mund të ngrihet edhe me më pak se 10 prokurorë, mjafton që për numrin të dakordësohen të gjithë anëtarët e KLP. Deri tani Këshilli i Lartë i Prokurorisë është stepur për të ngritur zyrtarisht SPAK me kandidatët që janë konfirmuar në të dyja shkallët e vetingut sepse kërkon të shmangë “përmbytjen” nga dosjet. Por numri 7 i prokurorëve që janë gati të bëhen anëtarë të SPAK mund të jetë i mjaftueshëm thjesht sa për të hedhur themelet e Prokurorisë së Posaçme dhe pastaj gjatë rrugës mbushet edhe me anëtarë të tjerë të cilët kalojnë me sukses vetingun.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here